Lidhje

Kapet në Belgjikë i dyshuari për sulmet në Paris


I dyshuari kryesor për lidhjet me sulmin terrorist në Paris më 13 nëntor të vitit të kaluar, është arrestuar në Belgjikë.

Sipas njoftimeve, Salah Abdeslam, u arrestua nga policia belge gjatë një bastisjeje të premten në rajonin Molenbeek në Bruksel.

Prefekti i Molenbeekut, Francois Schepmans, tha se Abdeslam dhe një person tjetër janë plagosur gjatë operacionit. Mediet raportojnë se Abdeslam është plagosur në këmbë.

Ministri belg i imigracionit, Theo Francken, konfirmoi arrestimin në rrjetin social twitter. "E kapëm", shkroi ai.

Autoritetet belge gjetën gjurmët e gishtërinjve gjatë një bastisjeje në një apartament më herët gjatë javës në një lagje tjetër të Brukselit.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara ishin në kontakt me zyrtarët francez dhe belg të sigurisë kombëtare dhe po i ndjekin zhvillimet nga afër.

Abdeslem ishte personi më i kërkuar në një ndjekje të të dyshuarve dhe bashkëpunëtorëve të militantëve që kryen sulmet që lanë pas vetes 130 të vrarë në Paris katër muaj më parë. Sulmet ishin përgatitur dhe bashkërenduar pjesërisht në Bruksel. Vëllai i tij më i madh, Brahimi, ishte në mesin e sulmuesve vetëvrasës.

Është ende e paqartë nëse Abdelslam kishte qëndruar në Bruksel që nga muaji nëntor.

Që nga mesi i nëntorit 11 veta janë arrestuar dhe akuzuar në Belgjikë në lidhje me vrasjet. Tetë prej tyre janë ende në burg.

XS
SM
MD
LG