Lidhje

Brukseli tronditet nga sulmet, ISIS merr përgjegjësinë


Belgium Attacks
Belgium Attacks

Brukseli u trondit sot në mëngjes nga tre shpërthime - dy në aeroport dhe një tjetër në një stacion metroje në zemër të kryeqytetit belg. Media belge njofton për më shumë se 30 të vdekur dhe dhjetra të plagosur. Kryeministri belg tha se ky është një moment i errët për vendin dhe bëri thirrje për qetësi e solidaritet.

Grupi Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmet në Bruksel, duke thënë se ekstremistët e tij hapën zjarr në aeroport dhe disa prej tyre aktivizuan jelekë me eksplozivë.

Pamjet tregonin njerëzit që largohen nga aeroporti Zaventem, ndërkohë që një shpërthim i dyfishtë rreth orës 8 të mëngjesit shkatërroi dritaret e mëdha, duke e mbushur dyshemenë e aeroportit me copra xhami të thyer.

Media belge njoftoi gjithashtu për një bombë të tretë, të pashpërthyer që ishte zbuluar. Sipas burimeve të ndryshme, në shpërthimet e aeroportit u vranë të paktën 11 vetë.

Kryeministri belg Charles Michel tha se ndodhi ajo së cilës i trembeshin autoritetet. Duke folur në një konferencë shtypi në Bruksel, zoti Michel tha se janë forcuar kontrollet kufitare dhe se ekziston shqetësimi se mund të ketë edhe sulme të tjera:

"Ne e kuptojmë se përballemi me një moment tragjik. Në këtë çast të errët për vendin tonë, tani më shumë se kurrë dua t’u bëj thirrje të gjithëve të ruajnë qetësinë dhe të tregojnë solidaritet. Ne ndodhemi para një sfide të vështirë dhe duhet ta përballojmë atë duke qëndruar të bashkuar dhe duke treguar solidaritet."

Ai tha se autoritetet do të vazhdojnë të ndjekin minutë pas minute gjendjen me shërbimet e ndryshme të sigurisë dhe të emergjencës.

Një prokuror belg tha se të paktën një shpërthim në aeroport ishte shkaktuar ndoshta nga një vetëvrasës me bombë. Media njoftoi gjithashtu se përpara shpërthimeve në aeroport ishin dëgjuar thirrje në gjuhën arabe.

Një zyrtar evropian i sigurisë tha se në vendin e sulmit në aeroport ishin gjetur një ose ndoshta dy kallashnikovë.

Kryebashkiaku i Brukselit tha se të paktën 20 vetë ishin vrarë dhe 55 ishin plagosur në një shpërthim tjetër vetëm pak çaste më vonë në stacionin e metrosë së Maelbeekut pranë selisë kryesore të Bashkimit Evropian. Personelit të BE-së iu tha të qëndronte në zyrat e tyre, ose në shtëpi.

Nëpër rrugë ndihej panik dhe njerëzit dilnin nga metroja me djegie dhe plagë.

Autoritetet belge e kanë ngritur nivelin e alarmit për terror në shkallë maksimale. Të gjitha fluturimet janë anuluar, dhe sistemi i metrosë së Brukseli është mbyllur.

Autoritetet në Frankfurt, Londër, Paris dhe Holandë kanë rritur sigurinë në aeroporte.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini shpërtheu në lot, gjatë një konference shtypi në Aman, ku ndodhej për vizitë:

"Është mjaft e qartë se rrënjët e dhimbjes që po prekin gjithë rajonin tonë janë shumë të njëjta.”

Ajo tha se këto sulme ishin pasojë e radikalizimit dhe u bëri thirrje udhëheqsve të Evropës dhe të Lindjes së Mesme të punojnë së bashku për t’u përballur me këtë plagë.

Shpërthimet vijnë vetëm pak ditë pas arrestimit në Bruksel të personit kryesor të dyshuar për sulmet e Parisit, Salah Abdeslam, gjë që ka shtuar shqetësimet për sulme hakmarrëse.

Aeroporti i Brukselit pas shpërthimeve
Aeroporti i Brukselit pas shpërthimeve

XS
SM
MD
LG