Lidhje

Të paktën 46 të vdekur nga zjarri që përfshiu një autobus në Bullgari


Autoritetet bullgare thanë se të paktën 46 veta humbën jetën kur një autobus u përfshi nga flakët të martën në Bullgarinë perëndimore.Pothuaj se të gjithë ishin shtetas të Maqedonisë së Veriut. Në mesin e viktimave ka 12 fëmijë. Ende nuk dihen shkaqet e aksidentit.

Në mesin e 46 viktimave të aksidentit të rëndë të autobusit të së martes në Bullgari, janë 12 fëmijë, më i riu 4 vjeç. Pesë prej fëmijëve ishin nxënës të shkollës nëntëvjeçare “Ismail Qemali” në Shkup.

46 viktima në aksidentin e autobusit në Bullgari
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:14 0:00

Autobusi po kthehej nga Turqia, ku këta shtetas të Maqedonisë së Veriut kishin qëndruar për fundjavë. Një nga viktimat ishte nga Presheva dhe një tjetër me pasaportë belge, tha kryeministri maqedonas Zoran Zaev, i cili së bashku me ministrat e Jashtëm dhe të Shëndetësisë, Bujar Osmani e Venko Filipçe shkuan në Sofje për t’u njohur nga afër me ngjarjen e rëndë. Sipas zyrtarëve të lartë qeveritarë të Maqedonisë së Veriut, ata i vizituan në spital shtatë personat e plagosur.

“Disa prej familjarëve të të lënduarve kanë ardhur këtu në Sofje dhe biseduam me ata. Ata patën rast t’i shohin të afërmit e tyre dhe të flasin me ta”, tha kryeministri Zaev.

Ndërkaq, në Shkup, familjarë të viktimave kur kishin mësuar lajmin në orët e mëngjesit u drejtuan tek agjencia turistike “Besa trans”, e cila kishte organizuar shkuarjen me autobusë në Turqi, por hasën në dyer të mbyllura të agjencisë të cilat nuk u hapën gjatë gjithë ditës.

Ata thanë se nuk mund të merrnin asnjë lloj njoftimi dhe se për orë të tëra prisnin para dyerve të agjencisë.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës dy të mëngjesit në autostradën ‘Struma’, 45 kilometra në perëndim të Sofjes. Ministri bullgar i Rendit, Bojko Rashkov,i cili kishte dalur në vendin e ngjarjes e përshkruajti atë si të tmerrshme, diçka që nuk kishte parë në karrierën e tij:

“Shumë e vështitrë për t’u parë. Ishin grumbulluar brenda dhe të shkrumbuar”, tha ai për viktimat brenda autobusit.

Në Sofje ka udhëtuar një ekip i Prokurorisë maqedonase së bashku me kryeprokurorin Lubomir Jovevski për t’u ndihmuar hetuesve dhe prokurorëve në vendin fqinj. Ekspertë bullgarë kanë thënë për median e atjeshme se shoferi kishte mbushur tuba me naftë dhe i kishte vendosur ato pranë gomave të autobusit, dhe pasi autobusi kishte goditur bankinat e rrugës, shpejtë kishte marrë flakë. Udhëtarët në ulëset e pasme kishin arritur ta thyejnë xhamin e pasmë dhe të shpëtojnë. Sipas njoftimeve nga autoritetet bullgare, edhe shoferi i autobusit ka humbur jetën.

Ngjarja ka prekur opinionin në vendet e rajonit dhe me gjerë. Komisioni Evropian ka ngushëlluar familjarët e viktimave dhe autoritetet shetërore në Shkup, siç kanë vepruar njësoj edhe drejtues të shteteve të rajonit, ndër të parat Shqipëria e Kosova duke shprehur ngushëllime dhe keqardhje të thellë për tragjedinë ku humbën jetën 46 persona.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli tre ditë zie, ndërsa edhe Bullgaria ku ndodhi aksidenti ka njoftuar se do të shpallë ditë zie.

Shkaku i aksidentit nuk ishte menjëherë i qartë dhe autoritetet thanë se kanë nisur një hetim.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev, i cili bashkë me zëvendëskryeministrin Bujar Osmani dhe ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe, ndodhet në Bullgari, u shprehu ngushëllime familjeve.

Kryeministri bullgar në detyrë, Stefan Yanev, vizitoi vendin e aksidentit dhe u tha gazetarëve se kjo ishte "një tragjedi e madhe".

“Përfitoj nga rasti të shpreh ngushëllimet e mia për të afërmit e viktimave”, tha zoti Yanev. “Le të shpresojmë se do të nxjerrim mësime nga ky aksident tragjik dhe të mund të parandalojmë ngjarje të tilla në të ardhmen”.

Në vitin 2019, Bullgaria, një anëtare e Bashkimit Evropian, me 7 milionë banorë, kishte shkallën e dytë më të lartë të vdekshmërisë në aksidente rrugore në bllokun 27 vendësh, me 89 njerëz të vrarë për një milion banorë, sipas të dhënave të Komisionit Evropian.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ngushëlloi familjet e viktimave të “aksidentit të tmerrshëm në Bullgari”, ndërsa theksoi se Bashkimi Evropian është i gatshëm të ofrojë mbështetje në çdo mënyrë që është e mundur.

Ngushëllimet e tyre i shprehën edhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe komisionari per zgjerim Oliver Varhelyi.

Ambasadorja amerikane në Shkup, Kate Byrnes, ngushëlloi familjet dhe u shprehu mbështetje atyre që u plagosën në aksident.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG