Lidhje

Bullgaria me qëndrim të pandryshuar ndaj Maqedonisë së Veriut


Qeveria e përkohshme e Bullgarisë, përjashtoi të mërkurën çdo ndryshim në veton e këtij vendi ndaj nisjes së negociatave të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Bullgaria me qëndrim të pandryshuar ndaj Maqedonisë së Veriut
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:49 0:00

Nëntorin e kaluar Bullgaria bllokoi fillimin e këtyre negociatave me fqinjin e saj më të vogël Ballkanik, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi historinë dhe gjuhën. Sofja gjithashtu akuzon Shkupin për shpërndarje të gjuhës së urrejtjes dhe dështim në zbatimin e një traktati dypalësh të miqësisë të vitit 2017.

Qëndrimi bullgar preku edhe Shqipërinë e cila ka përparuar në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian së bashku me Shkupin. Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të hënën pas takimit të ministrave të Jashtëm të bllokut se duhet çuar përpara procesin me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por “asnjëherë nuk ka pasur synim për veçimin e tyre në këtë proces”, ndonëse javën e kaluar, komisionari për zgjerim, Oliver Varhelyi, la të hapur mundësinë që Shqipëria të veçohet nga Maqedonia e Veriut, apo që e para të nisë negociatat për anëtarësim.

"Qëndrimi i Bullgarisë u pranua me konsensus midis të gjitha partive politike në parlamentin bullgar. Si qeveri e përkohshme, ne nuk kemi asnjë autorizim për ta ndryshuar atë," u tha të mërkurën gazetarëve ministri i ri i jashtëm bullgar, Svetlan Stoev.

Kabineti i përkohshëm, që mori detyrën të mërkurën pasi që partitë dështuan të bien dakord mbi formimin e një qeverie të re të koalicionit pas zgjedhjeve të muajit prill, do të drejtojë Bullgarinë deri në zgjedhjet e parakohshme të caktuara për 11 korrik.

Svetlan Stoev, 60 vjeçar, një diplomat i karrierës tha se do të bëjë çdo përpjekje për të vazhduar dialogun me Maqedoninë e Veriut.

"Më tej gjithçka është në duart e zyrtarëve në Maqedoninë e Veriut. Ata e dinë shumë mirë pozicionin bullgar dhe nuk duhet të spekulojnë se do të ketë ndonjë ndryshim në dy ose tre muajt e ardhshëm, ndërsa kjo qeveri e përkohshme është në detyrë," tha ai.

Sofja kërkon që Shkupi të pranojë që kombi dhe gjuha e Maqedonisë së Veriut kanë rrënjë bullgare dhe dëshiron që ajo t'i japë fund retorikës anti-bullgare.

Maqedonia e Veriut, një ish republikë Jugosllave, thotë se identiteti dhe gjuha e saj nuk janë të hapura për diskutim.

Kryeministri i ri i përkohshëm i Bullgarisë, tha të mërkurën se përparësi e qeverisë së tij do të jetë mbështetja e shtetit të së drejtës në vendin më të varfër të Bashkimit Evropian.

Presidenti bullgar, Rumen Radev, emëroi ish ministrin e Mbrojtjes Stefan Yanev, për të udhëhequr qeverinë deri në zgjedhjet e parakohshme.

"Dua t'ju përgëzoj për guximin që të merrni përgjegjësinë në një situatë kaq të ndërlikuar. Unë besoj në mbështetjen e shoqërisë bullgare, e cila tregoi se ajo nuk dëshiron të jetojë në mënyrën e vjetër. Në një situatë si kjo, qeverisja e shtetit kërkon udhëheqje, profesionalizëm dhe përkushtim”, tha presidenti bullgar.

Sipas organizatës Transparency International, Bullgaria renditet si shteti anëtar më i korruptuar i Bashkimit Evropian. Ajo është kritikuar nga Brukseli për dështim në përmirësimin e gjyqësorit dhe mosndëshkim të ndonjë zyrtari të lartë nën akuzat për korrupsion.

Presidenti Radev mbështeti protestat anti-qeveritare vitin e kaluar në të cilat ish kryeministri Boyko Borissov, që kishte mbajtur pushtetin me ndërprerje të shkurtra që nga viti 2009, u kritikua për dobësimin e institucioneve shtetërore në dobi të oligarkëve vendas dhe bizneseve të afërta me partine e tij të qendrës së djathtë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG