Lidhje

SHBA, debati mbi buxhetin dhe borxhin


Pasi u përqëndrua për dy javë tek kriza në Siri, Kongresi amerikan po e kthen tani vëmendjen tek çështjet fiskale brenda vendit, që po u afrohet afati. Në se ligjvënësit nuk miratojnë një plan për shtyrjen e afatit për financimin e qeverisë, qeveria federale do të mbyllej më 1 tetor. Në se nuk rritet tavani i borxhit disa javë më vonë, Shtetet e Bashkuara rrezikojnë mospagimin e borxhit dhe një ulje në shkallën e vlerësimit të kreditimit.

Presidenti Obama të enjten bëri të njohura përparësitë e tij fiskale

"Duhet të trajtojmë siç duhet buxhetin federal, të shlyejmë pagesat dhe të marrim rrogat në kohë, në mënyrë që të ruhet besimi i plotë, si dhe niveli i kreditimit i Shteteve të Bashkuara."

Por çfarë e pengon këtë? Një mosmarrëveshje ndërpartiake lidhur me sistemin shëndetësor të propozuar nga presidenti Obama. Ky ligj synon t’u ofrojë sigurim shëndetësor amerikanëve që nuk e kanë atë. Ligji fillon të hyjë në fuqi më 1 tetor.

Republikanët, të cilët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, thonë se nuk do të votojnë për projekt-buxhetin nëse prej tij nuk hiqen fondet e parashikuara për reformën shëndetësore. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner:

"Përsëri ne do të marrim hapa për ta hedhur poshtë ligjin e presidentit për sigurimin shëndetësor, i cili ngre koston e shërbimit shëndetësor dhe ua bën të vështirë bizneseve të marrin njerëz të rinj në punë.”

Demokratët, të cilët kanë kontrollin e Senatit, zotohen se do të kundërshtojnë çdo ligj buxhetor që nuk përmban fonde për reformën shëndetësore. Kryetarja e Komisionit të Senatit për Buxhetin, Patty Murray ju përgjigj zotit Boehner:

"Shpresoj se ai e kupton se demokratët nuk do ta vonojnë zbatimin e ligjit të sigurimeve shëndetësore, se ne nuk do të negociojmë për tavanin e borxhit dhe se është jo-normale të luajmë politika partiake me ekonominë e vendit tonë."

Ligjvënësit republikanë janë përpjekur për ta bllokuar ligjin që në fillimin e konceptimit të tij, më 2010. Tani që pritet që ai të zbatohet, shumë vetë i shohin mosmarrëveshjet fiskale si shansin e fundit për të patur sukses në hedhjen poshtë të saj. Ja si shprehet për këtë çështje udhëheqësi i republikanëve në Senat, Mitch McConnell:

"Do të kërkojmë anulimin e plotë të këtij ligji që në fakt "vret" vendet e punës. "

Çdo përpjekje për heqjen e fondeve për ligjin e shsëndetësisë do të duhej të fillonte në Dhomën e Përfaqësuesve. Por republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve duket se janë të ndarë, në konservatorët e Lëvizjes “Tea Party”, që duan ta mbyllin qeverinë dhe në anëtarët e moderuar, të cilët i frikësohen një reagimi të ashpër politik."

Senatori demokrat Richard Durbin thotë se Kryetari i Dhomës së Përfaqësuevse Boehner do ta rrezikonte shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, në se do të përpiqej ta bllokonte me çdo çmim ligjin për reformën shëndetësore.

"Ai do të paguajë një çmim për këtë dhe çmimi janë zgjedhjet e vitit 2014."

Por paraljamërime të kësaj natyre janë të ekzagjeruara, sipas Dan Holler i fondacionit Heritage Foundation, një grupim konservator. Ai thotë se Dhoma e Përfaqësusve duhet të qëndrojë e fortë:

"Arsyeja që ligjvënësit republikanë u zgjodhën më 2010 dhe përsëri më 2012, ishte që të kontrollonin punën e Presidentit Obama dhe të bënin gjithshka të mundur për të mos lejuar zbatimin e ligjit të sigurimeve shëndetësore."

Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve thonë se vendi po mbahet peng për shkak të politikës partiake. Ligjvënësi Steny Hoyer ju drejtua kështu republikanëve:

"Në nëntor të vitit 2012 u zhvilluan zgjedhje dhe ato u fituan nga presidenti i Obama. Por fokusi juaj prej miopi rrezikon ta mbyllë qeverinë dhe të verë në rrezik besueshmërinë e kreditimit të Shteteve të Bashkuara."

Si do të marrë fund kjo betejë? Askush nuk e di me siguri, por Marc Goldwein i komisionit për një buxhet federal të përgjegjshëm, thotë se vitet e fundit Kongresi ka arritur taa shmangë mbylljen e qeverisë me një diferencë të ngushtë votash.

"Mendoj se ka një shans për mbylljen e qeverisë, por ai është shumë i vogël. Zakonisht ne jemi shumë të mirë për të gjetur zgjidhjen minimale pikërisht në minutën e fundit."

Një zgjidhje e mundshme do të ishte: një plan i përkohshëm shpenzimesh, që do të financonte ligjin shëndetësor me miratimin e demokratëve dhe të republikanëve të moderuar. Republikanët e Lëvizjes “Tea Party” kohët e fundit e kundërshtuan pikërisht këtë ligj dhe ai është lënë për t'u shqyrtuar më vonë.
XS
SM
MD
LG