Zjarret përfshinë të dy krahët e Kalifornisë të dielën duke shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha. Zjarrëfikësit nuk ishin në gjendje të ndalonin flakët ndërsa parashikimet e motit flasin për erëra të forta dhe thatësi. Numri i viktimave ka arritur në 31 dhe pritet të rritet ndërsa ekipet e shpëtimit pritet të shkojnë në zona të tjera ku kanë mbetur vetëm rrënojat e djegura.
Më shumë se 8 mijë zjarrëfikës po luftojnë me një zjarr në veri të Kalifornisë dhe dy zjarre në jug të atij shteti. Autoritetet thonë se 29 njerëz kanë humbur jetën nga zjarri masiv në veri të Kalifornisë ndërsa nuk dihet fati për 228 të tjerë. Mijëra njerëz janë evakuuar me pak gjëra që kanë mundur të shpëtojnë. Tim Wall është vullnetar në një vendstrehim për të evakuuarit.
“Jemi mirënjohës komunitetit për angazhimin. Por kjo nuk është vetëm për një ditë. Është afatgjatë dhe kështu duhet trajtuar. Ushqimet dhe furnizimet do të na mbarohen ndaj kemi nevoja. Padyshim kemi nevojë për funizime mjekësore dhe vullnetarë të kësaj fushe. Shumë nga të moshuarit përdorin bombola me oksigjen të cilat po mbarojnë.”
Njoftohet për dy viktima nga zjarret në jug të Kalifornisë. Flakët po kërcënojnë 75 mijë shtëpi në Qarkun Ventura në veriperëndim të qytetit Los Angeles, ku humbën jetën 12 veta nga një vrasje masive javën e shkuar. Kryebashkiaku i qytetit “Thousand Oaks”, ku ndodhi vrasja masive, thotë se 75 përqind e qytetit është urdhëruar që të evakuohet.
Zyrtarët thonë se zjarri në veri të shtetit ka shkatërruar afro 6,500 shtëpi dhe 260 struktura komerciale duke pushtuar një sipërfaqe prek 404 kilometra katërorë, duke u bërë zjarri më shkatërrues në historinë e Kalifornisë. Numri i vitkimave është i barabartë me zjarrin e vitit 1933, që njihet si më vdekjeprurësi në historinë e atij shteti.
Facebook Forum