Lidhje

Zjarret në Kaliforni - 23 të vdekur, qindra të zhdukur


Zjarrfikësit vazhduan të luftojnë gjatë natës ndërmjet të mërkurës dhe të enjtes me zjarret e që lanë pas vetes 23 të vdekur në Kaliforninë Veriore.

Më shumë se 285 veta llogariten të zhdukur në kontenë Sonoma dhe është e pqartë nëse ata kanë pësuar nga zjarret apo janë larguar pa u regjistruar nga autoritetet.

Ndonëse ende nuk dihen shkaqet e zjarrit, ka mendime se ato mund të jenë shkaktuar nga linjat e energjisë elektrike që ishin rrëzuar nga erërat e forta.

Rreth 25 mijë veta mbeten të evakuuar, ndërsa autoritetet thanë se të paktën 3 mijë e 500 shtëpi e biznese janë shkatërruar.

Zjarret përfshinë rreth 69 mijë hektarë vreshtash të njohura botërisht për prodhimin e verës dhe një pjesë e tyre janë shkatërruar tërësisht.

Presidenti Donald Trump ka miratuar fonde federale për të ndihmuar zonat e prekura në Kaliforni.

Zjarret vazhdojnë të zgjerohen nga rrymat e forta të ajrit që kanë detyruar deri më tani dhjetëra mijëra njerëz të largohen. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Michelle Quinn, foli me njerëzit që kanë lënë pas shtëpitë e tyre, ndërsa zjarret po shkretojnë këtë zonë të njohur në mbarë botën për prodhimet e verës.

Në bashkinë Sonoma, të Kalifornisë, zjarret vazhdojnë të djegin pyjet e dendur dhe vreshtat. Autoritetet janë të shqetësuara prej erës që ndryshon drejtimin dhe shton shpejtësinë. Por, Dave Larson ishte rikthyer në shtëpi për të kërkuar macet dhe për të parë nëse shtëpitë e fqinjëve kishin shpëtuar.

“Nata ishte bërë ditë prej zjarreve që digjeshin pas shtëpisë. Mendova njëherë të qëndroja dhe të luftoja zjarrin, por kishte thëngjij të mëdhenj që binin gjithandej. Mora vetëm gjërat më të rëndësishme që munda, si ndonjë dokument identifikimi. Pastaj kërkova për macet. Gjeta vetëm njërën dhe u largova me shpejtësi me makinë. U ktheva sërish pas tre orësh dhe gjithçka ishte zhdukur. Është sikur të ketë rënë një bombë bërthamore. Kur jam zgjuar në mëngjes këto dy ditë, kam menduar se mos ndoshta ishte një ëndërr, por pastaj kuptoj se nuk më ka mbetur asgjë. Nuk kam më rutinën time të përditshme. Kam veshur në trup rrobat e dikujt tjetri. Është e çuditshme të mos kesh asgjë”, tregon zoti Larson.

Zjarret vazhdojnë ende të digjen dhe kudo gjenden linja të rrëzuara elektriciteti. Sot, po luftojnë të shuajnë vatrat e flakëve përpara se ato të fitojnë forcë. Zjarrfikësit kanë ardhur nga larg për të ndihmuar.

“Jemi paralajmëruar për erëra të fuqishme. Gjithë këto vatra të shumta pritet të bashkohen sot në një zjarr të madh dhe të fuqishëm. Nuk e shuajmë dot, kështu që jemi përqëndruar tek mbrojtja e strukturave dhe në krijimin e vijave kundër zjarrit që të mbrojmë çfarë ka mbetur”, thotë Kapiten Gordon O’Brien, nga shërbimi i zjarrfikësve të qytetit Alameda.

Të paktën 21 persona kanë vdekur nga zjarret dhe shumë të tjerë janë ende të zhdukur. Për shkak erërave, autoritetet kanë urdhëruar evakuime të reja nga zona.

Megjithë shkatërrimin, Dave Larson gjeti diçka me vlerë në hirin e shtëpisë që pati ndërtuar në vitin 2004.

“Më pati mbetur merak që nuk arrita të merrja me vete pushkën 100-vjeçare ‘Lebel’, me të cilën ishte qëlluar im atë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ishte në gjendje të shkëlqyer. E shikoni tashmë se si është shkrirë pothuajse krejtësisht. Me bajonetën ende të montuar, e gjeta në krah të televizorit, i cili ishte shkrirë gjithashtu”, thotë zoti Larson.

Do të duhen disa javë për të kuptuar përmasat reale të dëmeve dhe kostot e rindërtimit. Për momentin, njerëzit po përpiqen t’i mbijetojnë shkatërrimit të flakëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG