Lidhje

Rreziku i kancerit në vendet në zhvillim


Rreziku i kancerit në vendet në zhvillim
Rreziku i kancerit në vendet në zhvillim

Ekspertët e degës së shëndetit publik në universitetin e Harvardit paralajmërojnë se kanceri po bëhet një prej shkaqeve kryesore të vdekjeve dhe paaftësive fizike në vendet në zhvillim. Ata i bëjnë thirrje komunitetit ndërkombëtar të luftojë kancerin me po aq agresivitet sa edhe Sidën në Afrikë. Një raport tjetër i publikuar nga Shoqata Amerikane e Kancerit, e quan kancerin vrasësin më të kushtueshëm të botës. Aktivistët thonë se disa nga vdekjet e shkaktuara nga kanceri mund të parandalohen me një kosto të ulët.

Sipas një studimi të publikuar nga revista The Lancet, kanceri shkakton më shumë vdekje në vendet me të ardhura të ulëta e mesatare sesa Sida, turbokulozi dhe malaria së bashku. Autorët e këtij studimi thonë se 80% e të gjitha vdekjeve nga kanceri ndodhin në vendet e varfëra. E megjithatë vetëm 5% e burimeve globale për kancerin shpenzohen në vendet në zhvillim.

Felicia Knaul, një nga autorët e këtij studimi, u diagnostikua me kancer në gji ndërkohë që ajo ishte në Meksikë ku edhe mori trajtimin mjekësor. Ajo thotë se përvoja e mësoi atë mbi ndryshimin e thellë mes të pasurve dhe të varfërve në përkujdesjen ndaj pacientëve të sëmurë nga kanceri.

“Gjithnjë e më shumë ne po shohim se si ky lloj kanceri po prek gratë e reja. Është shkaktari i dytë i vdekjeve të grave mes moshës 30 dhe 54 vjeç në Meksikë. Në të gjitha vendet në zhvillim numri më i madh i vdekjeve në mesin e grave të reja lidhet me sëmundjen e kancerit. Unë mendoj se duhet bërë më shumë për të luftuar këtë sëmundje.”

Ekspertët thonë se kostoja e trajtimit të kancerit mund të ulet, nëse përdoren disa barna më të lira që janë ende pa patentë. Grupi Global i Punës për Kujdesin dhe Kontrollin e Kancerit në universitetin e Harvardit po punon në krijimin e një pakete barnash bazë dhe protokollin e trajtimit të kancerit me kosto të ulët. Sipas ekspertes Knaul, në se kjo realizohet, ndikimi në vendet në zhvillim mund të ishte i madh.

“Në gjetjet tona paraprake ne kemi vërejtur se ekziston një numër i madh barnash për të ciclat nuk ka ende patentë. Kjo do të thotë se ato janë me kosto më të ulët. Pra, ekzistojnë disa barna, vaksina dhe metoda të rëndësishme ndërhyrjeje që nuk janë të kushtueshme. Ne po punojmë për alternativa të ndryshme çmimesh, për të ndihmuar vendet të cilat nuk mund të paguajnë çmimin e lartë të barnave të me patentë.”

Ekspertja Knaul thotë se gjatë punës së saj në vendet e varfëra dhe ato me të ardhura mesatare, ajo ka takuar punonjës të shëndetësisë të cilët kanë luajtur rol të rëndësishëm në luftën kundër kancerit të mitrës duke i bërë thirrje grave që të kontrollohen dhe vaksinohen rregullisht. Ajo thotë se kontrollet e rregullta, kanë ndihmuar në uljen e numrit të vdekjeve të grave nga kanceri i mitrës. Ajo beson së kjo strategji mund të zbatohet në vende të tjera për të parandaluar dhe trajtuar llojet e tjera të kancerit.

Ekspertja Knaul thotë se hapi i parë është që njerëzit të kuptojnë se sëmundja e kancerit mund të trajtohet.

“Një person me kancer duhet të trajtohet ashtu si personat e prekur nga Sida, për të cilët përkujdesemi që ata të jetojnë më gjatë.”

Sipas një raporti të Shoqatës Amerikane të Kancerit, kostoja e trajtimit të kancerit në botë për vitin 2008 ishte 900 miliardë dollarë, ose sa 1,5% e prodhimit të përgjithshëm botëror. Raporti thotë se produktiviteti i ekonomive kombëtare humbet nga kanceri më shumë se sa nga sëmundja si Sida.

XS
SM
MD
LG