Lidhje

"Cash mob", një prirje e re amerikane


Ekonomia amerikane shënoi një rritje të qëndrueshme në tremujorin e parë, pjesërisht për shkak të valës më të madhe të shpenzimeve për konsumin që nga fundi i vitit 2010. Materiali në vazhdim na njeh me një prirje të re këtu në Shtetet e Bashkuara, që po ndihmon në përqendrimin e më shumë shpenzimeve drejt bizneseve lokale.

Çfarë ndodh nëse bashkojmë nevojën për më shumë punë të një dyqani me konsumatorët lokalë entuziastë? Blerja në grup ose cash mob.

"Në një farë mënyre, ne “sulmojmë’ biznesin me blerje, prandaj quhet cash mob."

Kjo prirje organizohet përmes mediave sociale dhe bazohet tek koncepti i flash mob, ku grupe të mëdha njerëzish mblidhen në një vend publik për të interpretuar një kërcim në grup. Por në vend të interpretimit të koreografisë, këta njerëz shpenzojnë para. Kjo blerje në grup u organizua nga "Think Local First DC", një grup që punon për rritjen e ekonomisë së Uashingtonit. Stacey Price është drejtore ekzekutive e grupit.

"Bizneset lokale janë arsyeja pse njerëzit qëndrojnë në komunitet. Ata përbëjnë karakterin e komunitetit tonë dhe kontribuojnë në komunitet. Nëse i hidhet një sy studimeve, vihet re se kur njerëzit shpenzojnë para pranë bizneseve lokale, 68 cent për çdo 1 dollar kthehet përsëri në ekonominë lokale. Kur shpenzohen para në dyqanet e firmave të mëdha, vetëm 37 cent kthehen në ekonominë lokale."

Rregullat e cash mob-eve janë të thjeshta. Duhet vetëm të paraqitesh në një kohë të caktuar, në një biznes lokal si ky, të sjellësh me vete 20 dollarë dhe t’i shpenzosh ato para duke blerë në dyqan çfarëdo gjëje që dëshiron.

Për këtë blerje në grup, u zgjodh dyqani Pleasant Plains Workshop - ku gjenden punime artistike të galerisë dhe vepra artizanale. Çdo gjë në këtë dyqan është bërë nga artistë lokalë, si Chris Haughery.

"Unë e dua punën time dhe më pëlqen t’i paraqes punimet e mia. Më pëlqen shumë kur njerëzit thjesht shohin art në përgjithësi, dhe për mua të jem një pjesë e këtij procesi është një gjë vërtet e bukur."

Pronarja e dyqanit Kristina Bilonick thotë se aktiviteti ishte një sukses i madh.

"Është diçka pozitive për të gjithë dhe shitjet janë vetëm qershia mbi tortë."

Cash mob-et, pra blerjet në grupe, të organizuara nga "Think Local First DC" kanë rritur shitjet e bizneseve lokale të Uashingtonit me 500 për qind. Pjesëmarrësit thonë se këto aktivitete janë shumë argëtuese dhe se ata mezi presin të marrin pjesë në cash mob-e të tjera.
XS
SM
MD
LG