Udhëheqësi i rrëzuar i Katalonjës Carles Puigdemonti doli të hënën përpara një gjykate gjermane pas arrestimit të tij në përputhje me një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Spanja lidhur me fushatën e rajonit të tij për pavarësi.
Avokatët gjermanë thanë se gjykatës do t’i duhen disa ditë për të vendosur nëse do të ekstradojë për në Spanjë zotin Puigdemont.
Udhëheqësi separatist e kaloi natën në burg, pasi u arrestua nga policia gjermane të dielën, ndërsa kalonte kufirin me Danimarkën. Sipas avokatit të zotit Puigdemont, Jaume Alonso-Cuevillas, që konfirmoi arrestimin e tij nëpërmjet një postimi në twitter, udhëheqësi separatist po udhëtonte drejt Belgjikës, ku ai u arratis tetorin e kaluar pas lëshimit të një urdhër-arresti kundër tij lidhur me rolin në referendumin për pavarësi.
E diela u shënua nga protesta të dhunshme në rajonin gjysëm-autonom të Katalonjës. Rreth 100 vetë u trajtuan për lëndime të lehta pas përleshjeve mes protestuesve pro-separatistë dhe policisë.
Arrestimi i Carles Puigdemontit vjen pas një vendimi të Gjykatës së Lartë spanjolle të premten për të akuzuar 13 udhëheqës separatistë katalanas për rebelim dhe krime të tjera lidhur me përpjekjen e tyre për të shpallur pavarësinë nga Spanja vitin e kaluar. Kreu i rrëzuar i Katalonjës mund të përballet me më shumë se 25 vjet heqje lirie në burgjet spanjolle.
Facebook Forum