Lidhje

E majta fiton raundin e parë të zgjedhjeve në Çeki

Rezultatet zyrtare të zgjedhjeve tregojnë se kryeministri i majtë i Republikës Çeke, Milos Zeman ka fituar raundin e parë të zgjedhjeve të drejtpërdrejta presidenciale që nga ndarja e Çekosllovakisë në vitin 1993. Megjithatë, zoti Zeman, ndesh në konkurencë të fortë në raundin e dytë për të zëvendësuar presidentin euro skeptik, Vaclav Klaus. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Stefan Bos, na informon nga Budapesti.

Komisioni çek i zgjedhjeve tha se zoti Zeman kishte marrë rreth një të katërtën e votave në raundin e parë në zgjedhjet historike presidenciale të vendit.

Kjo ishte hera e parë që një president çek zgjidhej me vota popullore që nga ndarja e Çekosllovakisë në Sllovaki dhe Republikën Çeke në vitin 1993. Në të kaluarën, presidenti zgjidhej nga parlamenti i vendit.

Me t’u bërë të qarta rezultatet e raundit të parë, 68-vjeçari Zeman falenderoi mbështetësit e tij.

Zoti Zeman tha se donte të falenderonte votuesit dhe ekipin e tij. “Pa ata”, tha ai, “nuk do të kishte qënë në gjendje të arrinte deri këtu”.

Ish kryeministri mund të presë një sfidë të madhe nga ministri i Jashtëm pro evropian, 75-vjeçari Karl Schwarzenberg, i cili doli i dyti me 23 përqind të votave.

Ata do të përballen në raundin e dytë të votimeve që do të mbahet më 25 dhe 26 janar.

Rezultatet janë më të dobëta për ish kryeministrin Jan Fisher. Biri i një të mbijetuari të Holokaustit donte të bëhej presidenti i parë hebre i zgjedhur drejtpërdrejt në Evropë.

Një tjetër kandidat, kompozitori i operës, piktori dhe profesori i arteve skenike, Vladimir Franz, nuk arriti të marrë pjesë në raundin e dytë.

Kryeministri Peter Nekas shprehu zhgënjim sepse një tjetër kandidat presidencial i i partisë së tij udhëheqëse Qytetare Demokrate nuk mori shumë vota.

Kryeministri është kritikuar për mbështetjen e amnestisë së Vitit të Ri që Presidenti Vaclav Klaus u dha rreth 7 mijë të burgosurve.

"Çështja e amnestisë e dëmtoi fushatën”, tha zoti Nekas, duke shtuar se “rezultatet janë zhgënjyese”. Por kryeministri nuk e pranon se ka dëmtuar interesat e Republikës Çeke. “Në bazë të ligjit dhe traditës së vendit”, tha zoti Nekas, ai kishte mbështetur vendimin e presidentit për të liruar të burgosurit.

Personi që do të jetë presidenti i ri i Republikës Çeke, do të vendosë lidhje më të ngushta me Bashkimin Evropain pasi të zëvendësojë zotin Klaus në muajin mars.

Megjithëse me një rol kryesisht ceremonial, presidenti ushtron ndikimin e tij politik në një kohë kur Republika Çeke përpiqet të kapërcejë rënin ekonomike dhe një nivel papunësie prej më shumë se nëntë përqind.
This item is part of
XS
SM
MD
LG