Lidhje

Regjistrimi i popullsisë në SHBA, shtohet edhe një pyetje për nënshtetësinë


Njëmbëdhjetë shtete amerikane po sfidojnë vendimin e administratës Trump për të shtuar një pyetje për nënshtetësinë në regjistrimin e popullsisë që do të kryhet në vitin 2020. Sipas Departamentit të Tregtisë, ky ndryshim do të bëjë të mundur një regjistrim më të saktë të popullsisë amerikane. Por, kundërshtarët thonë se kjo pyetje do të ketë efektin e kundërt, si p.sh. frikësimin e emigrantëve pa dokumenta.

A jeni shtetas amerikan? Kjo është pyetja që do të shtohet gjatë regjistrimit të popullsisë në vitin 2020 dhe që prek thelbin e debatit për emigracionin në Shtetet e Bashkuara.

“Mendoj se do përcaktojë individët që gjenden në vendin tonë dhe të ofrojë informacion që do të na lejojë zbatimin e ligjeve dhe procedurave tona”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders.

Ndërsa Shtëpia e Bardhë thotë se kjo do të siguronte një numërim të saktë të popullsisë, shteti i Kalifornisë paraqiti menjëherë një padi gjyqësore për ta kundërshtuar.

“Pyetja e çdo individi në Amerikë për statusin e nënshtetësisë është fatkeqësisht një vazhdimësi e axhendës së hapur të Presidentit për ushqyer flakët e armiqësisë kundër emigrantëve në vendin tonë”, tha Sekretari i Shtetit i Kalifornisë, Alex Padilla.

Regjistrimi i popullsisë në SHBA çdo dhjetë vjet, i ofron qeverisë të dhëna të rëndësishme për të planifikuar çdo gjë, që nga fondet federale dhe deri tek niveli i përfaqësimit në Kongres. Pyetja për nënshtetësinë ka qenë në pyetësor për gati 100 vjet, por u hoq në vitin 1950. Që nga ajo periudhë, popullsia e lindur jashtë Amerikës është rritur ndjeshëm.

“Për shkak të një sistemi jofunksional të emigracionit në këtë vend, e dimë se ka shumë individë që do t’i frikësohen pjesëmarrjes në regjistrim nëse përfshihet një pyetje për statusin e nënshtetësisë”, thotë Xavier Becerra, prokuror i përgjithshëm i shtetit të Kalifornisë.

Krahas Kalifornisë, dhjetë shtete të tjera paraqitën gjithashtu padi gjyqësore. Javës që kaloi, Sekretari i Tregtisë Wilbur Ross ishte shprehur në Kongres se po merreshin në konsideratë këto shqetësime.

“Ka shumë pikëpyetje që po shqyrtojmë rreth saktësisë apo përgjigjeve që mund të jepen nën detyrim”, deklaroi Sekretari Ross.

Por, shtimi i nxituar i kësaj pyetjeje mund të kushtojë shumë, thonë organizatat aktiviste për hispanikët.

“Vlerësohet se çdo 1% rënie në nivelin e përgjigjeve ndaj pyetësorit, na kushton rreth 55 milionë dollarë. Kur njerëzit nuk përgjigjen saktë, atëherë duhen dërguar punonjës derë më derë për të marrë përgjigje sa më të sakta”, thotë Clarissa Martinez Castro, e organizatës “Unidos US”.

Mbështetësit e këtij ndryshimi thonë se emigrantët nuk kanë pse t’i frikësohen.

“Askush nuk mund të thotë se ky informacion do të përdoret për zbatimin e ligjeve të emigracionit, pasi nuk lejohet nga ligji dhe nuk është përdorur ndonjëherë. Pra, i vetmi argument i kundërshtarëve është se nuk duan që populli amerikan të dijë përmasat e popullatës të lindur jashtë vendit dhe përqindjen e tyre që ndodhen këtu ilegalisht”, thotë Dan Stein, i Federatës Amerikane për Reformimin e Emigracionit.

Me këto argumenta duhet të përballen tashmë gjykatat amerikane gjatë dy viteve që kanë mbetur deri kur të bëhet regjistrimi i popullisë në Shtetet e Bashkuara.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG