Lidhje

Çfarë vjen pas vendimit të GJND-së?


Çfarë vjen pas vendimit të GJND-së?
Çfarë vjen pas vendimit të GJND-së?

Pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Shtetet e Bashkuara nxitën vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë ta ndërmarrin një hap të tillë, si edhe u kërkuan Prishtinës dhe Beogradit që të punojnë tani së bashku në mënyrë konstruktive. Por megjithëse vendimi ia forcoi pozitat Kosovës, analistët janë skeptikë përsa i takon vullnetit të Beogradit për të bashkëpunuar me Prishtinën.

Me opinionin e djeshëm për Kosovën, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë krijoi qartësi për një çështje që asnjëherë nuk i ka pasur përgjigjet e thjeshta.

Këshilltari ligjor i Departamentit të Shtetit, Harold Hongju Koh theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk kishin pasur asnjëherë dyshim për pavarësinë e Kosovës.
“Ne besojmë se opinioni këshillimor i Gjykatës largon çdo dyshim ligjor të ngritura nga Serbia kur paraqiti kërkesën për këtë opinion”, tha zoti Koh.

Ai tha se votimi 10 në favor dhe 4 kundër, është i thellë për kriteret e gjykatës. Ai shtoi se gjykata dha një përgjigje thjesht për pyetjen që i ishte bërë – pra nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte e ligjshme – dhe kështu nuk u mor me të drejtat e vetëvendosjes apo ndarjes sipas ligjit ndërkombëtar.
“Ne i kërkojmë Serbisë dhe Kosovës që tani të mos merren më me këto çështje ligjore dhe të punojnë së bashku në mënyrë konstruktive drejt një të ardhmeje të përbashkët evropiane”.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Kristofer Dell, tha se si vende fqinje Kosova dhe Serbia kanë shumë çështje për të diskutuar, përfshirë atë të personave të zhdukur, shtetin ligjor dhe energjinë.
“Ne shpresojmë që me këtë çështje ligjore të zgjidhur të dyja palët të gjejnë tani një mënyrë që të fillojnë të diskutojnë disa nga këto çështje shumë praktike, me të cilat ata duhet të merren për të lehtësuar ecjen e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Sigurisht ky është një proces që të dyja palët do të duhet ta përcaktojnë së bashku”.

Por tani për tani nuk dihet sesi mund të realizohet ky bashkëpunim. Presidenti serb Boris Tadiç tha pas vendimit se Serbia do të vazhdojë të luftojë për ta rimarrë Kosovën, duke përdorur të gjitha mjetet ligjore dhe paqësore.
Steven Majer, Profesor i Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes në Uashington thotë se pikëpamja më optimiste do të ishte që të dyja palët të ecnin përpara duke e lënë pas këtë çështje.

“Unë mendoj se shanset që kjo të ndodhë nuk janë të mëdha. Mendoj se ka shumë emocione të forta, ka ende ethe të forta nacionaliste, mendoj se ende ka shumë njerëz – sidomos në Serbi që e shohin këtë gjë si një trashëgimi të humbur, si djep të civilizimit serb”.

Drejtori Ekzekutiv i Grupit për të Drejtën Ndërkombëtare dhe Politikën Publike Pol Uilliams tha se vendimi ishte një fitore e madhe për Kosovën. Profesor Uilliams thotë se tani menjëherë duhet të fillojnë përpjekjet nga ana e Kosovës për të siguruar njohjet e mëtejshme politike. Ai tërheq gjithashtu vëmendjen se Serbia mund të kërkojë negociata politike.

“Kosova tani duhet ta përqendrojë vëmendjen tek akti politik i njohjes dhe jo të bëjë hapa pas dhe të bjerë në kurthin e negociatave, që vetëm do ta ulnin rëndësinë e vendimit të gjykatës”.
Ai tha se Kosova dhe Serbia mund të bisedojnë si vende fqinje me interesa të përbashkëta dhe dialogu është rruga që do të vlerësohet nga Bashkimi Evropian. Edhe prof. Majer thotë se nëse kishte ndonjë shpresë më parë për negociata politike mes Beogradit dhe Prishtinës, tani të paktën nga ana e Kosovës, ajo nuk ekziston më.
Duke folur për veriun, prof. Williams sugjeron se opinioni e ndryshoi krejtësisht ekuacionin edhe përsa i takon asaj pjese.

“Tani nuk ka dyshim që ajo është pjesë e Kosovës dhe tani mund të bëhen përjekje vetëm për të qetësuar tensionet”.
Opinioni i gjykatës i forcon pozitat e Prishtinës. Sipas profesorit Majer, ai i jep forca qeverisë për të punuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO dhe drejt kërkesës që pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën, ta njohin atë. Përsa i takon lëvizjeve të mëtejshme të Serbisë, ai mendon se qeverisë serbe nuk i mbeten shumë alternativa në komunitetin ndërkombëtar. Ai thotë se ky vendim ishte një katastrofë për qeverinë serbe dhe se ajo mund të mos mbijetojë.

“Nëse kjo qeveri mbijeton dhe shanset janë me optimizëm 50 me 50 do të detyrohet të marrë një qëndrim vetëmbrojtës, duke mos e pranuar vendimin”.
Por ai thotë se një mundësi tjetër mund të ishte që qeveria serbe të thoshte që tani duhet pranuar realiteti që Serbia nuk e ka më Kosovën dhe të bëjë thirrje për të ecur përpara. Por ai shton se në Serbi emocionet kanë një forcë të tillë që një qëndrim i tillë do ta rrëzonte qeverinë.

XS
SM
MD
LG