Sot njerëzit qarkulluan të lirë në qytetin Charlotte të Karolinës së Veriut, pas tre ditësh ndalimqarkullimi gjatë orëve të natës që synonte të vendoste nën kontroll protestat pas vrasjes së një personi nga policia.
Protestat u bënë të dhunshme gjatë javës që shkoi në ditët pas vrasjes së 43-vjeçarit Keith Lamont Scott. Ato u bënë më paqësore pas vendosjes së ndalimqarkullimit nga mesnata deri në orën 6 të mëngjesit. Sidoqoftë, policia kishte deklaruar se nuk do të këmbëngulte në zbatimin e ndalimqarkullimit për sa kohë nuk do të kishte probleme.
Udhëheqësit e qytetit vendosën dje të anullonin ndalimqarkullimin, ndërsa dhjetëra protestues me slloganin “Black lives matter” ishin vendosur jashtë stadiumit ku zhvillohej ndeshja e futbollit amerikan ndërmjet skuadrave Carolina Panthers dhe Minnesota Vikings.
Një ndër lojtarët kryesorë të skuadrës Panthers mbante veshur një bluzë me një thënie të Martin Luther King Jr.: “Padrejtësia kudoqoftë është një kërcënim ndaj drejtësisë”.
Ende ka pikëpyetje nëse viktima, Keith Scott, ishte i armatosur apo jo. Policia thotë se “po”, ndërsa familja e tij thotë se ai ishte duke qëndruar në makinë duke lexuar një libër, në momentin kur iu afruan oficerët e policisë.
Xhirimet nga kamerat në uniformën e policëve dhe në makinat e policisë, si dhe një xhirim nga celulari i bashkëshortes së viktimës nuk tregojnë qartë nëse ai mbante armë. Përpara se të shtien ndaj z. Scott, në të tre xhirimet dëgjohen qartë thirrjet e policëve ndaj tij për ta hedhur armën.