Lidhje

Tërmeti në Kili, të paktën 6 të vrarë


Një tërmet i fortë me magnitudë 8.2 goditi dje brigjet veriperëndimore të Kilit, duke vrarë të paktën gjashtë njerëz dhe duke shkaktuar një tsunami të vogël që nxiti evakuime përgjatë bregut në oqeanin Paqësor. Shkencëtarë në Shtetet e Bashkuara thonë se një tërmet edhe më i fortë mund të godasë të njëjtin rajon në të ardhmen.

Epiqendra e tërmetit të mbrëmshëm ishte rreth 100 kilometra në veriperëndim të qytetit Iquique. Ai u pasua nga goditje të tjera, duke përfshirë një me magnitudë 6.2. Lëkundjet prej tërmetit u ndjenë deri në Bolivi dhe Peru.

Autoritetet kiliane thanë se dallgë rreth dy metra të larta goditën qytetet përgjatë bregdetit. Zyrtarët urdhëruan menjëherë evakuime, duke paralajmëruar se priteshin dallgë edhe më të mëdha.

Disa orë pas fatkeqësisë, Presidentja e Kilit Michelle Bachelet mbajti një fjalim të trasmetuar në televizion kombëtar.

"Janë marrë masat e duhura për të mbrojtur jetën dhe objektet e tyre. Qeveria do të vazhdojë të punojë të gjithë kohën e nevojshme për të përballuar këtë emergjencë dhe për të mbrojtur qytetarët tanë.''

Edhe pse nuk ka pasur njoftime për dëme të mëdha, zyra e emergjencës Kilit tha se rrëshqitje të tokës kanë bllokuar pjesërisht disa rrugë dhe autostrada. Mijëra njerëz mbetën pa energji elektrike, ndërsa të tjerë u detyruan ta kalojnë natën jashtë.
Autoritet dhanë paralajmërime për tsunami përgjatë bregdetit të Kilit, por ato u hoqën disa orë pas tërmetit.

Ministri i Brendshëm Rodrigo Penailillo tha se rreth 300 të burgosura u arratisën nga burg grash në Iquique. Ai tha se trupat ushtarake ishin dërguar për të parandaluar vjedhje të mundshme dhe për të kapur të arratisurat.

Ndërkohë, shkencëtarë amerikanë thonë se në të ardhmen rajoni mund të goditet nga një tërmet edhe më i fortë. Profesori i Sizmologjisë në universitetin Caltech, Mark Simons, shpjegon se presioni për tërmetin e mbrëmshëm ishte grumbulluar gjatë një periudhe prej rreth një shekulli e gjysmë, por nuk ishte aq i fuqishëm sa tërmetet që pritet të godasin këtë rajon në të ardhmen.

"Ne presim një tërmet tjetër me magnitudë 8.8 ose 8.9 në të ardhmen e afërt. Por mund të ndodhë nesër, ose pas 50 vjetësh. Nuk mund ta dimë me saktësi," shpjegoi zoti Simons.

Kili është një nga vendet më të priruara për tërmete në botë. Në vitin 2010, një tërmet me magnitudë 8.8 goditi pjesën qendrore të vendit, duke vrarë mbi 500 njerëz dhe duke shkatërruar mbi 220 mijë shtëpi.


XS
SM
MD
LG