Lidhje

Zonja e Parë e Kinës tërheq vëmendje


Presidenti i ri kinez Xi Jinping ka qenë në qendër të vëmendjes së medias për udhëtimet e tij të para jashtë vendit, gjatë të cilave është takuar me udhëheqës në Moskë dhe Afrikë. Por, një vëmendje e madhe po i kushtohet dhe bashkëshortes së tij, Peng Liyuan, e njohur më parë në Kinë edhe si këngëtare.

Që nga momenti i zbritjes nga avioni në Moskë, Zonja e Parë e Kinës nisi të tërheqë vëmendje. Stili i veshjes i saj pushtoi titujt kryesor të shtypit kinez.

Por, Zonja e Parë, Peng Liyuan, është mësuar të jetë në qendër të vëmendjes. Ajo njihej nga shumë kinezë më parë edhe si këngëtare në televizionin shtetëror, ku shpesh këndonte me uniformën e saj ushtarake.
Tani, që zonja Peng pritet me nderime në vende të ndryshme si në Tanzani dhe Afrikën e Jugut, shumë kinezë janë të lumtur për të. Por, ringjallja e vëmendjes ka sjellë edhe disa polemika.

Një fotografi e zonjës Peng filloi të qarkullonte me shpejtësi në faqen e internetit Weibo. Në të ajo shfaqet duke kënduar për trupat ushtarake në sheshin Tiananmen të Pekinit, në qershor të vitit 1989, rreth kohës së shtypjes së përgjakshme të disidentëve. Faqja e personit që publikoi fotografinë është fshirë.

Analistët thonë se Kina duhet të jetë e kujdesshme me perceptimet e zonjës Peng për arsye të tjera.
Bonnie Glaser punon me Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare:

"Zonja e Parë shihet si një person i ndjeshëm ndaj çështjeve lokale dhe kulturave lokale, që bashkëvepron me ta në një mënyrë që tregon respekt, dhe jo si dikush që është vetëm një tjetër mënyrë për të promovuar Kinën."

Në Kinë, Zonja e Parë Peng Liyuan ka përdorur zërin e saj në ndihmë të fëmijëve që vuajnë nga SIDA. Shumë njerëz në botë presin të shohin se si ajo do ta përdorë zërin e saj në kohët në vazhdim.
XS
SM
MD
LG