Lidhje

Kina paralajmëron reforma të gjera


Kina thotë se zhvillimi i një ekonomie me “pronësi të përzier” është një pjesë kyçe e reformave financiare dhe sociale që u bënë të ditura sot.

Detajet e 60 reformave të propozuara këtë javë nga udhëheqësit e Partisë Komuniste tregojnë se investimi privat do të lejohet së shpejti në projekte që deri tani kanë qenë të zotëruara nga forma shtetërore. Një përmbledhje e vendimeve nga anëtarët e komitetit qëndror të partisë përfshin një thirrje për reforma të tregut, që do të përmbushen pjesërisht nga shkatërrimi i monopoleve dhe nga futja e konkurrencës.

Investitorët privatë në Kinë do të lejohen gjithashtu të hapin banka të vogla dhe të mesme, dhe kompanive shtetërore do t’u duhet të rrisin ndjeshëm pagesat e tyre ndaj qeverisë deri në fund të këtij dhjetëvjeçari.

Lejimi i një roli më të madh të tregut të lirë në ekonominë e kontrolluar nga shteti ishte një nga temat kryesore të mbledhjeve plenare katër-ditore të Komitetit Qendror në Pekin këtë javë.

Reformat sociale të Kinës të bëra të ditura sot bënë bujë në mbarë botën, sepse në to përfshihej zbutja e politikës së vjetër: një çift - një fëmijë dhe heqja e sistemit të ri-edukimit në kampet e punës.

Këto masa, të njoftuara sot nga agjencia zyrtare e lajmeve Xinhua, janë një përmbledhje e zgjeruar e vendimeve të marra në një takim të rëndësishëm të Partisë Komuniste që përfundoi këtë javë.

Sipas rregullave të reja, çiftet kineze tani do të jenë në gjendje të kenë dy fëmijë, nëse njëri prej prindërve është fëmijë i vetëm. Aktualisht, shumë pak çifte mund të kenë më shumë se një fëmijë.
XS
SM
MD
LG