Lidhje

Viti 2015 dhe ndryshimet klimatike


Konferenca e sivjetshme mbi ndryshimet klimatike në Paris përqëndrohet në politikat për reduktimin e gazeve ndotëse që çlirohen në atmosferë. Në vazhdim ju sjellim disa nga fenomenet klimatike që u shpalosën gjatë vitit 2015.

Për rreth 13 milionë banorë të varfër që jetojnë pranë lumejve që derdhen në Gjirin e Bengalit, ngrohja globale është realitet i pamohueshëm.

Mijëra prej tyre kanë mbetur pa strehë, pasi fshatrat e tyre janë fshirë nga harta si rezultat i ngritjes së nivelit të ujit. Me shkrirjen e akullnajave niveli i detit po rritet mesatarisht 2 milimetra në vit, por në rajonin Sundarbans në kufirin mes Indisë dhe Bangaleshit ngritja është dy herë më e madhe, në rreth 4 milimetra në vit. Disa pjesë të rajonit janë mbuluar nga uji dhe banorët kanë mbetur pa strehë.

60-vjeçari Sujit Jana u detyrua të largohet nga toka e tij në Bengalin Perëndimor të Indisë për shkak të përmbytjeve:

"Ne jetojmë në buzë të lumit në derdhjen e lumit Sundarbans. Nëse ngrihet niveli i ujit, ne jemi të parët që i ndjejmë pasojat. Në atë moment mendoj se vetëm vdekja na pret”.

Problemi i ngrohjes globale bëhet edhe më kritik nga prerja e pemëve për lëndë drusore duke i bërë ishujt më të pambrojtur nga erozioni. Shkencëtarët parashikojnë se një pjesë e madhe e rajoneve të ulëta mund të mbulohen nga uji në 15-25 vjet.

Maroku po përjeton probleme nga shtrirja e hapësirave shkretinore në territore të reja. Shkretëtira e Saharës po shtrihet gjithnjë e më gjerë. Sipas Komisionit Maroken për Ujin dhe Pyjet, 80% e tokës në Marok është e rrezikuar nga shndërrimi në zonë shkretinore. Problemi shihet qartë në zona si Tanzida ku dikur mjedisi gjelbërohej nga palmat. Tani shumë nga palmat janë tharë dhe rezervat ujore kanë shterrur.

Disa vende kanë vënë në zbatim projekte për t’u prerë rrugën dhe në disa raste për të riparuar efektet e ngrohjes globale. Në Suedi vëmendja është tek praktikat e gjelbra që reduktojnë shpenzimin e energjisë. Në qytetin Malmo një lagje e tërë funksionon me energji të ripërtëritshme falë projekteve publike dhe shpikjeve teknologjike që përpiqen të reduktojnë gjurmën e karbonit tek mjedisi dhe të ndërgjegjësojnë banorët për efektin e aktivitetit të tyre.

Hallbarheten, duket si mjedis banimi, por është njëkohësisht një laborator funksional i fjalës së fundit të teknologjisë ambjentaliste.

Peder Berne me familje janë ndër banorët e rinj të Hallbarhetenit dhe po ambjentohen me të gjitha pajisjet që ofron shtëpia. Panelet diellore furnizojnë shtëpinë me ndriçim dhe ngrohje përmes kaloriferëve me ujë të nxehtë. Lavatriçja dhe lavastovilja punojnë me energjinë që prodhojnë pajisjet e kompleksit dhe konsumi i energjisë kontrollohet me një iPad.

Peder Berne, Malmo, Suedi:

"Këtu mund të shihni sa energji po shpenzohet në kuzhinë në këtë moment dhe ta krahasoni me koston e energjisë. Siç e shihni kjo është ora e tretë e ditës me koston më të lartë të energjisë”.

Shtresa akullnajore e Groenlandës përfshin shkëmbinj akulli dhe masë bore që ngrihen në lartësi deri në 3000 metra. Kjo është masa më e madhe e akullit në planet, pas akullnajave të Antarktidës. Shkencëtarët ndjekin me shqetësim shkrirjen e akullit në Groenlandë, e cila vazhdon me ritme më të shpejta se mesatarja globale. Shqetësimi i tyre nuk është tek e ardhmja e Groenlandës pas shkrirjes së akullit, por tek ajo e planetit e ndikur nga kjo shrirje:

Dirk van As, studiues, Shoqata Gjeologjike për Groenlandën dhe Danimarkën:

"Njerëzit në përgjithësi nuk duhet të shqetësohen për shtresën akullnajore të Groenlandës pasi nuk ka për t’u shkrirë për shumë kohë. Por nëse 1/10 e saj shkrihet për 100 vjet, qytete të mëdha me një përqindje të konsiderueshme të popullatës së botës do të kenë probleme nga ngritja e nivelit të ujit”.

Instituti Meteorologjik Danez ka përllogaritur se që nga viti 1840 shkrirja e akullit në Groenlandë është rritur 60%. Pjesa më e madhe e shkrirjes është regjistruar gjatë dekadës së fundit dhe viti 2012 ka ritmet më të larta të shkrirjes.

Shkencëtarët kanë pajisur fokat e zonës me pajisje monitoruese për të marrë të dhëna nga thellësitë e ujit ku zhyten fokat. Me këto pajisje shkencëtarët mund të regjistrojnë shkëputjen e copave të akullit nga akullnajat dhe lëvizjen e tyre drejt oqeanit Altantik.

Ndërkaq në Kinë thatësira ka detyruar shumë fermerë të braktisin pronat në zonën veri-perëndimore të vendit dhe të vendosen në zona të tjera. Ndërkaq autoritetet kanë programe për të larguar nga zona banorë të tjerë. Shumë fshatra janë shndërruar në rajone fantazmë.

Lëvizja e popullatave nga zona të goditura rëndë nga ndryshimet klimatike është në axhendën e bisedimeve të Parisit. Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët UNHCR po bën fushatë aktive në emër të të zhvendosurve nga klima.

XS
SM
MD
LG