Lidhje

Prokurorët detajojnë pagesat në emër të presidentit Trump dhe kontaktet me rusët


Dokumentat e depozituara në gjykatë në Nju Jork nga prokurorët dhe nga Prokurori i Posaçëm, Robert Mueller, japin argumenta se pse Michael Cohen, ish-avokati personal i Presidentit, Donald Trump dhe Paul Manafort, ish-menaxher i fushatës së tij, meritojnë të kryejnë dënim me burg.

Sipas dokumentave, zoti Cohen kishte bërë dy pagesa të paligjshme për dy gra: Stormy Daniels, një aktore filmash pornografike dhe Karen McGougal, ish-modele e revistës “Playboy” para zgjedhjeve të vitit 2016, që të mos flisnin për marrëdhëniet e tyre me zotin Trump.

Prokurorët federal thanë se zoti Cohen i bëri pagesat në “bashkërendim dhe nën udhëzimin” e zotit Trump.

Dokumentat nxjerrin në pah gjithashtu një përpjekje nga një rus për të ushtruar ndikim tek fushata.

Në një dokument, zoti Mueller shpjegon me detaje se si zoti Cohen kishte folur me një rus që “pretendonte të ishte një ‘person i besuar’ në Federatën ruse që mund t’i ofronte fushatës ‘sinergji politike’ dhe ‘sinergji në nivel qeveritar”.

Zoti Trump ka mohuar çdo bashkëpunim të qëllimshëm me Rusinë dhe Rusia ka mohuar çdo ndërhyrje në fushatën presidenciale të Shteteve të Bashkuara.

Dokumentat e depozituara, tregonin edhe se zoti Manafort kishte gënjyer në intervista me prokurorët dhe FBI-në.

Megjithëse Presidenti Trump shkruante në Twitter se të gjitha depozitimet “e nxjerrin krejtësisht të pastër Presidentin”, dokumentat lënë të kuptohet se zoti Trump mund të ketë ditur më shumë për kontaktet e fushatës dhe biznesit me rusët, nga ç’kishte pohuar më parë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG