Lidhje

Komisioni i Zbulimit i Kongresit takim me dyer të mbyllura


Komisioni i Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan u mblodh sot pas dyerve të mbyllura, një ditë pas konfuzionit të krijuar lidhur me hetimet rreth akuzave të Presidentit Donald Trump se ai ka qenë përgjuar nga paraardhësi i tij, ish-presidenti Barack Obama.

Kongresmeni republikan Devin Nunes, kryetar i komisionit, i doli në mbrojtje deklaratave të bëra dje se bisedat e përgjuara në mënyrë të ligjshme të agjentëve të huaj, të cilët flisnin me zyrtarë të fushatës së zotit Trump pas zgjedhjeve të nëntorit, por para inaugurimit të tij, kishin çuar në interceptim rastësor të komenteve të bëra nga ndihmësit e zotit Trump, dhe ndoshta nga vetë zoti Trump.

Kongresmeni Nunes foli me gazetarët dhe me vetë presidentin në lidhje me këto materiale, pa informuar asnjërin prej 21 anëtarëve të Komisionit.

Zoti Nunes tha se dhënia e informacioneve shpjeguese dhe një takim që ai pati më vonë me Presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë ishte thjesht një gjykim i tij personal.

Pas seancës me anëtarët e tjerë të Komisionit, zoti Nunes kërkoi ndjesë për nxjerrjen e informacionit në mënyrë të njëanshme.

Kreu i FBI-së James Comey ka thënë se nuk ka asnjë informacion që mbështet akuzat e zotit Trump në Twitter se ish-Presidenti Obama ka përgjuar kullën Trump në javët para zgjedhjeve të nëntorit.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG