Lidhje

Reagime ndaj fjalimit të Presidentit Obama


Strategjia që ka propozuar Presidenti Barack Obama për zgjerimin e një përpjekjeje ushtarake amerikane kundër ekstremistëve të grupit Shteti Islamik në Irak dhe Siri shkaktoi reagime të ndryshme nga ligjvënësit e Kongresit.

Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner nxorri një deklaratë pas fjalimit të mbrëmshëm të presidentit, duke thënë se zoti Obama më në fund ka filluar të argumentojë se “për të shkatërruar këtë kërcënim terrorist, duhen masa të vendosura”. Por zoti Boehner tha se një “fjalim nuk është e njëjta gjë si strategjia” dhe se mbeten akoma pyetje për synimet e Presidentit.

Republikani Ed Royce, kreu i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhënie me Jashtë, e përshëndeti thirrjen e Presidentit Obama që Shtetet e Bashkuara të udhëheqin një koalicion të gjerë që të shkatërrojë Shtetin Islamik. Por zoti Royce i tha Zërit të Amerikës se ai dhe shumë republikanë mendojnë se Presidenti Obama, është i vonuar në vendimin për të vepruar.

“Është për të ardhur keq se duke pritur për shtatë muaj, ISIL ka qenë në gjendje të sigurojë jo vetëm armë, por edhe fonde që i ka marrë nga Banka Qendrore në Mosul dhe duke grabitur edhe banka të tjera. Pra, ata janë kthyer në një sfidë më të madhe, një kërcënim më të madh, sepse tani kanë burimet që al-Kaida nuk i pati kurrë, ato lloj burimesh që kjo degë e al-Kaidës ka në dispozicion”.

Në një intervistë tjetër me Zërin e Amerikës, demokrati nga Nju Jorku Eliot Engel tha se Presidenti Obama dha argumenta “shumë bindëse” për veprime ndaj Shtetit Islamik.

“Pa dyshim që është në interesin kombëtar amerikan të shkatërrohet ISIS, sepse ashtu si Talebanët komplotuan me al-Kaidën, nga Afganistani dhe drejtuan sulmin më të rëndë terrorist në Shtetet e Bashkuara, nëse ne nuk shkatërrojmë ISIS, ata do ta përdorin Irakun dhe Sirinë si një strehë për të planifikuar sulme terroriste kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë. Prandaj ne nuk mund të sodisim”.

Shtëpia e Bardhë thotë se Presidenti Obama u ka thënë udhëheqësve të Kongresit se mund t’i zgjerojë operacionet ushtarake kundër Shtetit Islamik edhe pa miratimin e ligjvënësve amerikanë.

Megjithatë zotit Obama i duhet miratimi i Kongresit për rritjen e ndihmës ushtarake për kryengritësit e moderuar sirianë, që ai kërkoi në fjalimin e tij dje.

Kongresmeni Royce tha se Kongresi do të votojë “me shumicë dërrmuese” për të mbështetur kryengritësit që po luftojnë kundër ISIL-it dhe Presidentit sirian Bashar al-Assad.

XS
SM
MD
LG