Lidhje

SHBA: Seancë në Senat mbi sulmin në Bengazi


Nga sulmi u vranë katër amerikanë, përfshirë ambasadorin në Libi, Christopher Stevens,

Komisioni i Senatit amerikan për çështjet e zbulimit do të zhvillojë nesër një seancë dëgjimore me dyer të mbyllura lidhur me ngjarjet që kanë të bëjnë me sulmin para dy muajsh kundër konsullatës amerikane në Bengazi të Libisë. Katër amerikanë u vranë në atë sulm, mes tyre edhe ambasadori amerikan në Libi, Christopher Stevens. Që prej atij sulmi, ka pasur deklarata dhe prononcime të ndryshme lidhur me natyrën e tij.

Katër amerikanë u vranë në Bengazi në 11 vjetorin e sulmit terrorist më vdekjeprurës, që Shtetet e Bashkuara kanë përjetuar ndonjë herë.
President Obama foli të nesërmen.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë me fjalët më të ashpra këtë sulm mizor dhe tronditës. Ne po bashkëpunojnë me qeverinë e Libisë për të siguruar diplomatët tanë”.

Pas pak ditësh, presidenti i përkohshëm i Libisë, Mohamed Magariaf la të kuptohej se, bazuar në njoftimet rreth mënyrës së armatosjes së sulmuesve dhe kryerjes së sulmit, al-Kaida ishte përgjegjëse.

“ ... të gjitha provat tregojnë qartë se sulmuesit ishin mëse të stërvitur dhe mëse të përgatitur dhe sulmi ishte planifikuar”.

Kjo deklaratë ishte në kontrast të madh me komentet e ambasadores amerikane në Kombet e Bashkuara, Susan Rice, e cila e pcilësoi sulmin si "një reagim spontan" ndaj një proteste disa orë më parë përpara ambasadës amerikane në Kairo, një protestë me sa duket në përgjigje të një videoje e publikuar në Internet, e cila vinte në lojë profetin Muhamed.

“Ne besojmë se një numër i vogël njerëzish shkuan në konsullatën amerikane në Bengazi për të përsëritur pakënaqësinë e tyre, që ishte shprehur pak më parë në Kairo. Dhe ndërsa shprehej kjo pakënaqësi, me sa duket disa individë ekstremistë e shfrytëzuan situatën për qëllimet e tyre”.

Ambasadorja Rice thotë se agjencitë e zbulimit i dhanë asaj informacionin, mbi të cilin ajo bazoi shpjegimin, që rezultoi se ishte i pasaktë.

Disa republikanë sugjerojnë se zyrtarët u angazhuan në disa manovra politike në prag të zgjedhjeve presidenciale. Kandidati republikan për president, Mitt Romney e ngriti këtë çështje në një prej debateve me Presidentin Obama.

“Nëse nuk u tha plotësisht e vërteta apo nëse ne nuk e dinim se çfarë ndodhi, mendoj se duhet të ngrihet pyetja se pse nuk e dinim pas 5 ditësh kur ambasadorja amerikane në OKB deklaroi në televizion se sulmi në Bengazi ishte një demonstratë. Si mund të mos e kishim ditur të vërtetën?”

Nga fundi i tetorit, agjencia e lajmeve Reuters njoftoi se një mesazh elektronik zyrtar tregonte se Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit ishin informuar disa orë pas sulmit se një grup militant islamik kishte marrë përgjegjësinë në Facebook. Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton reagoi të nesërmen.

“Publikimi i diçkaje në Facebook nuk është provë dhe kjo pikërisht nënvizon paqartësinë e ngjarjeve atë ditë dhe disa ditë më pas”.
Niveli i sigurisë në konsullatën e Bengazit është një tjetër çështje e diskutueshme.
Nën koloneli Andrew Wood, i cili punonte në misionin e sigurisë së ambasadës në Libi në fillim të këtij viti, dëshmoi muajin e kaluar para ligjvënësve lidhur me përkeqësimin e gjendjes së sigurisë, siç shikohet në këtë video në YouTube.

“Me sa duket milicitë shpërbëheshin në organizata që i ngjanin operacioneve të pavarura kriminale. Sulmet e organizuara kundër perëndimorëve po shtoheshin. Në muajin qershor, ambasadori u kërcënua në Facebook, kërcënim që shoqërohej me një njoftim publik se atij i pëlqente të vraponte në territorin e kompleksit të ambasadës në Tripoli."

Zoti Wood tha se zyrtari i sigurisë rajonale u përpoq të siguronte personel shtesë, megjithatë siguria diplomatike ishte e dobët. Një bord i pavarur po shqyrton tani rrethanat e sulmit të Bengazit, ndërkohë që Departamenti i Shtetet thotë se një raport mund të jetë gati deri nga mesi i dhjetorit.

XS
SM
MD
LG