Lidhje

Countryman: Marrëveshjet Kosovë–Serbi, në të mirë të qytetarëve


Countryman: Marrëveshjet Kosovë–Serbi, në të mirë të qytetarëve
Countryman: Marrëveshjet Kosovë–Serbi, në të mirë të qytetarëve

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Thomas Countryman thotë se arritja e marrëveshjeve ndërmjet Kosovës e Serbisë është një fillim i rëndësishëm për qytetarët e të dyja vendeve për një jetë më normale. Në një bisedë për Zërin e Amerikës, zoti Countryman tha se këto marrëveshje veçanërisht ajo për lirinë e lëvizjes, krijojnë një situatë ku përfitojnë të dyja palët. Ai tha se Shtetet e Bashkuara i përkrahin këto marrëveshje, të cilat siç u shpreh ai, nuk kërkojnë që të jepet diçka, por të dyja palët përfitojnë shumë.

“E kam admiruar punën e vështirë dhe kreativitetin të cilin të dy negociatorët kanë treguar përgjatë këtij procesi. Secili nga ta ka bërë një punë të mirë në mbrojtjen e interesave më të rëndësishme të dy qeverive të tyre dhe për më shumë, secili nga ta, ka qenë kreativ në gjetjen e një rruge për të ndihmuar njerëzit e zakonshëm duke u ballafaquar në të njëjtën kohë me idetë e ndryshme për statusin e Kosovës, që ka secili nga ata. Mesazhi i radhës është, mbajeni dhe përshpejtojeni atë. Ky është vetëm një fillim, marrëveshjet e ardhshme që janë afër e që mund të arriheshin madje në këtë muaj nëse palët punojnë fuqishëm, përfshijnë gjëra që do tu sillnin të dyja palëve përfitime të mëdha ekonomike, në fushat si telekomunikacioni, energjia, doganat dhe tregtia. Me ato marrëveshje do të shihni edhe më shumë përfitime ekonomike për Kosovën”, tha zoti Countryman duke shtuar se bisedimet janë një përfitim i madh për Kosovën jo vetëm në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian por edhe në marrjen e më shumë njohjeve dhe legjitimitetit ndërkombëtar.

"Ju garantoj se Shtetet e Bashkuara nuk do ta shtynin Kosovën për të marrë pjesë në këtë proces dhe për të pranuar këto marrëveshje, po që se do të mendonim se ato do t’i dëmtonin në çfarëdo mënyre qëllimet shtetërore të Kosovës. Ne mendojmë se ato vetëm ndihmojnë dhe mirëpresim aktivitetin dhe këmbënguljen të cilin e ka dëshmuar qeveria e Kosovës”, tha ai.

Zoti Countryman thotë se marrëveshjet e arritura duhet të respektohen nga të dyja palët.

”Mosrespektimi i marrëveshjeve që janë arritur me lehtësimin e Bashkimit Evropian mendoj se do të kishte pasoja për të dyja palët. Më e rëndësishmja është që ky përbën një test të cilin duhet ta japin edhe Prishtina edhe Beogradi, në mënyrë që të shohim se a janë në gjendje që ta mbajnë fjalën lidhur me marrëveshjet ndërkombëtare. Jam i sigurt se gjithmonë do të ketë probleme burokratike dhe fërkime por mendoj se, po që se të dyja palët punojnë fuqishëm për t’i zvogëluar ato, jam i bindur se kjo do të rezultojë në pikërisht atë që është premtuar, lëvizjen e lirë për qytetarët e të dyja vendeve dhe avancim në fusha të rëndësishme si njohjen e diplomave dhe në pajisjen me dokumente civile”, tha ai.

Zoti Countryman tha se të dyja palët kanë treguar gatishmëri në zgjidhjen e çështjeve praktike me qëllim të përfitimeve të qytetarëve të të dyja vendeve. Ai iu bëri thirrje të dyja palëve që ta mbajnë dhe ta përshpejtojnë procesin e bisedimeve.

XS
SM
MD
LG