Lidhje

Cunningham: Ka përparim në tratativat me Afganistanin mbi marrëveshjen strategjike


Zëvendës Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Afganistan James Cunningham thotë se është duke u bërë përparim në drejtim të një marrëveshjeje partneriteti strategjik që do të autorizojë një prani të reduktuar ushtarake amerikane në Afganistan, pas tërheqjes së trupave luftarake të vendeve perëndimore, në vitin 2014. Për sa i përket forcave afgane, ministri afgan i Mbrojtjes Abdul Rahim Vardak u shpreh se është rënë dakord mbi një shifër të përgjithshme që parashikon 230 mijë trupa.

Zëvendës Ambasadori Cunningham tha se tani marrëveshjet kanë arritur të zhvendosin përgjegjësinë për të paraburgosurit dhe për operacionet e forcave speciale nën kontrollin afgan, dhe se po bëhet përparim lidhur me një marrëveshje afatgjatë partneriteti strategjik. Marrëveshja do të autorizojë një rol trajnues dhe mbështetës të amerikanëve, pasi shumica e trupave luftarake të largohen në vitin 2014. Zv/Ambasadori tha se do të dëshironte që të kishte një marrëveshje të përgatitur para takimit të nivelit të lartë të NATO-s në Çikago, në muajin maj, i cili do të shqyrtojë rolin e ardhshëm të bashkësisë ndërkombëtare në mbështetjen e forcave afgane.

"Rezultati përfundimtar i atij takimi do të jetë një demonstrim shumë i qartë dhe i fortë i mbështetjes ndërkombëtare afatgjatë për Afganistanin. Dhe kjo duhet të përcjellë një mesazh për popullin e Afganistanit dhe për rajonin. "

Duke folur për gazetarët të martën, ministri i Mbrojtjes afgan Abdul Rahim Vardak, tha se është rënë dakord mbi një shifër të përgjithshme prej 230 mijë trupash afgane. Kjo do të ishte një ulje e konsiderueshme në krahasim me 352 mijë trupat e ushtrisë dhe policisë kombëtare afgane që pritet të shërbejnë gjatë këtij viti. Por ministri i mbrojtjes tha se reduktimi i numrit të forcave do të varet nga kushtet në terren dhe se do të jetë i bazuar mbi një supozim për pakësim të kërcënimit nga talebanët.

Forcat afgane financohen pothuajse krejtësisht nga kontributet e huaja. Presidenti Hamid Karzai ka thënë se bashkësia ndërkombëtare tashmë ka rënë dakord për të siguruar 4 miliardë dollarë në vit për të financuar ushtrinë afgane, pas vitit 2014. Zëvendës ambasadori i SHBA-së nuk dha asnjë hollësi mbi financimin e ardhshëm, por tha se niveli i bashkëpunimit ushtarak do të jetë objekt i vazhdueshëm diskutimesh në vitet që vijnë.

Përfshirja ushtarake amerikane në Afganistan është bërë gjithnjë e më e papëlqyeshme në SHBA dhe pakënaqësia e afganëve lidhur me praninë ushtarake të ndërkombëtarëve ka qenë në rritje pas një sërë incidentesh, përfshirë masakrën e 17 fshatarëve afganë për të cilën fajësohet një ushtar amerikan, si dhe djegia e paqëllimshme e Kuranëve në një bazë ushtarake amerikane.

Zoti Cunningham thotë se angazhimi afatgjatë i bashkësisë ndërkombëtare për të qëndruar në Afganistan e përfshirë me një rol mbështetës do të ndihmojë në uljen e tensioneve, ruajtjen e stabilitetit dhe duhet të largojë kryengritësit.

"Unë shpresoj që kjo të inkurajojë talebanët dhe të tjerët të mendojnë seriozisht për perspektivat e marrëveshjeve në vend që të bëjnë atë që bënë dje, pra vrasjen e të tjerë civilëve afganë në rrugët e qyteteve të vendit."

Këtë javë, ka patur disa sulme kundër forcave afgane, duke përfshirë edhe sulme vetëvrasëse me bomba prej talebanëve, të cilat të martën vranë të paktën 16 persona.

XS
SM
MD
LG