Autoritetet në Itali thanë se numri i përgjithshëm i personave të infektuar ka arritur në 1.694, një rritje me 50 për qind krahasur me 24 orë më parë. Të ditën u njoftua gjithashtu se pesë persona të tjerë kishin humbur jetën si pasojë e virusit, duke e çuar numrin në 34. Ndërkohë autoritetet italiane njoftuan se 83 persona janë shëruar plotësisht.
Në Republikën Çeke autoritetet konfirmuan tri raste të të infektuarve me koronavirus. Ministri i Shëndetësisë Adam Vojtech, tha të dielën se që të tre kishin udhëtuar nga veriu i Italisë.
Sipas autoriteteve, pacientët, dy çekë dhe një student amerikan, që studionte në Milano – shfaqën simptoma të lehta.
Dy prej tyre janë në Pragë dhe i treti në qytetin Usti nad Labem, rreth 90 kilometra në veri të kryeqytetit.
Ministri Vojtech bëri thirrje që të shmangen udhëtimet e panevojshme në rajonin e veriut të Italisë, ku është regjistruar numri më i lartë i të infektuarve në Evropë.
Çekia është vendi i parë në Evropën Qendrore që raportoi rastet e infektimit me coronavirusin i cili ka prekur mbi 80 mijë veta në botë që ku u shfaq për herë të parë në Kinë.
Facebook Forum