Lidhje

Pasojat e anulimit të programit DACA në ekonomi


Vendimi i Shtëpisë së Bardhë për të anuluar programin DACA për statusin e fëmijëve nga prindër të ardhur në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara, do të ndikojë në jetët e gati 800 mijë personave që tashmë janë në moshë madhore. Ata nuk do të jenë në gjendje të rinovojnë lejet e përkohshme të punës për dy vitet e ardhshme. Pasoja do të ketë edhe për punëdhënësit dhe për ekonominë amerikane, me një kosto që mendohet se do t’i kushtojë miliarda dollarë rritjes ekonomike të vendit.

Për përfituesit nga programi DACA, humbja e vendeve të punës dhe detyrimi për t’u larguar nga vendi do të ketë pasoja të paimagjinueshme. Për bizneset që do të detyrohen t’i shkarkojnë ata nga puna, pasojat financiare janë të qarta.

Kathryn Wylde drejton organizatën e “Partneritetit për qytetin e Nju Jorkut”, që përfaqëson interesat e bizneseve të qytetit. Ajo thotë se të punësuarit nëpërmjet programit DACA kontribuojnë me miliarda dollarë në vit për ekonominë vendase.

“Ka kosto të drejtpërdrejtë dhe i sinjalizon botës se Amerika nuk është më vendi që mirëpret talentin, punën dhe energjinë e emigrantëve. Ky mesazh ka një ndikim të dëmshëm tek kompanitë tona kryesore, pasi atyre u duhen të talentuarit me prejardhje nga të gjitha gjuhët e botës”, thotë zonja Wylde.

Një studim i Institutit Cato tregon se anulimi i programit DACA do t’u kushtojë rreth 6.3 miliardë dollarë punëdhënësve që rekrutojnë dhe trajnojnë më tej rreth 720 mijë persona nëpërmjet këtij programi. 36% e pjesëmarrësve të programit DACA, kanë diploma universitare dhe pasuniversitare.

“Një pjesë e madhe janë të mirëarsimuar dhe punojnë në sektorë si shëndetësia dhe arsimi, ku edhe shpërblehen mirë. Janë këta sektorë që do të përjetojnë pasojat më të mëdha prej anulimit të programit DACA”, thotë David Bier, analist i politikave të emigracionit në Institutin Cato.

Në argumentat e Shtëpisë së Bardhë sugjerohet se amerikanët e papunë do të përfitojnë prej anulimit të këtij programi.

“Ka mbi 4 milionë të papunë amerikanë të së njëjtës grupmoshë si përfituesit nga programi DACA. Ndër ta, 950 mijë janë afrikano-amerikanë dhe 870 mijë janë hispanikë. Janë grupime të mëdha popullsie që mund të ishin të punësuar”, u shpreh Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders.

Por, ekonomistët dhe analistët e emigracionit nuk e pranojnë këtë argument, pasi të punësuarit nëpërmjet DACA-s nuk zëvendësohen dot nëpërmjet të papunëve amerikanë. Gjithashtu, heqja nga puna e një personi për të punësuar një tjetër, nuk rrit produktivitetin.

“Nuk krijon vende të reja pune duke pakësuar masën e të punësuarve dhe duke i dëbuar ata nga vendi. Thjesht do të reduktojë përmasat e ekonomisë”, thotë zoti Bier.

Sipas Institutit Cato, humbja gjatë dekadës së ardhshme do të jetë në vlerën 280 miliardë dollarë. Organizata me prirje liberale, Qendra për Progresin Amerikan, vlerëson se dëmi do të jetë realisht edhe më i lartë, në gati 460 miliardë dollarë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG