Një protestë përpara Shtëpisë së Bardhë dhe të tjera në qytete të ndryshme të vendit do të zhvillohen të martën në mbështetje të programit DACA dhe përfituesve të tij. Protestat do të mbahet në një ditë me vendimin e pritshëm të Presidentit Donald Trump për t'i dhënë fund programit që mbron prej deportimit ata persona, të cilët u sollën në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara në moshë të mitur.
Sipas zyrtarëve që ua bënë të ditur gazetarëve këtë lëvizje të presidentit, vendimi pritet të shoqërohet dhe me një afat 6 mujor si kohë që i jepet Kongresin për të trajtuar këtë çështje. Programi u krijua nëpërmjet një urdhri ekzekutiv të ish-Presidentit Barak Obama dhe ligjvënësit nuk u përfshinë në proces.
Zyrtarët lanë të hapur mundësinë që presidenti Trump mund të ndryshojë mendje lidhur me këtë çështje.
Ai që njihet si programi DACA ka shtyrë dëbimin për rreth 800 mijë personave duke u ofruar leje pune dy vjeçare me mundësi rinovimi aplikantëve që kualifikohen.
Mbetet e paqartë se çfarë ndodh nëse Kongresi nuk ndërmerr ndonjë veprim përpara përfundimit të afatit gjashtëmujor, apo se çfarë ndodh me dikë, që ka nevojë për rinovim të lejës së punës gjatë kësaj periudhe.
Gjatë fushatës së tij për president zoti Trump premtoi ta mbyllë programin DACA, duke e quajtur atë si "amnisti". Që nga marrja e detyrës, ai ka thënë se kjo çështje është një nga më të vështirat që ai ka trajtuar si president.
Shumë nga personat e përfshirë në program kanë ardhur që fëmijë në Shtetet e Bashkuara dhe nuk kanë lidhje me vendin e tyre të origjinës.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan si dhe disa ligjvënës të tjerë republikanë vazhdojnë t’i bëjnë thirrje presidentit të mos e anulojë programin. Zoti Ryan beson se Kongresi do të dalë me një zgjidhje për të mbrojtur personat e përfshirë në programin DACA.
Udhëheqësja e demokratëve në Dhomës e Përfaqësuesve Nancy Pelosi i kërkoi zoti Ryan që të punojë me demokratët këtë javë, për të gjetur një zgjidhje ligjore për ata persona që njihen ndryshe si "Dreamers" - Ëndërrimtarët.
Facebook Forum