Dje në kinematë amerikane filloi të shfaqet filmi i shumëpritur “The Hunger Games”, “Lojërat e Urisë”, mbështetur në një roman shumë popullor, pjesë e një cikli me të njëjtin titull të shkrimtares Suzanne Collins. Libri dhe filmi i përkasin një zhanri që ka njohur shitje kolosale kohët e fundit - veprës artistike për moshat e reja. Ndërkohë që shitjet e librit kanë rënë 5 për qind, shitjet e romaneve me këtë temë kanë përjetuar një rritje prej 80 për qind. Në vazhdim i hedhim një vështrim temës qendrore të romanit dhe filmit të ri - dashurisë së mbinatyrshme që ka tërhequr miliona të rinj në mbarë botën:
Në qytezën Tomball në periferi të Hjustonit, tre shoqe mblidhen shpesh për të kaluar kohën e për të diskutuar librat që kanë lexuar.
Cathy Clark thotë se shumë prej librave të suksesshëm kohët e fundit, megjithëse të shkruar kryesisht për adoleshentë, tërheqin edhe të rritur si ajo.
“Ka shkrimtarë shumë të mirë që shkruajnë për këtë grup-moshë dhe tërheqin edhe grupe të tjera. Po ashtu fenomenet e mbinatyrshme janë një temë e pazakontë”.
Rreth 70 kilometra më tutje, në pjesën perëndimore të Hjustonit, lexuesit e zhanrës së dashurisë së mbinatyrshme u grumbulluan në librarinë Blue Willow për t’u takuar me katër shkrimtarë që po zhvillojnë turne në qytete të ndryshme.
Cynthia Hand, autore e dy librave që kanë në qendër të subjektit Klarën, një adoleshente me fuqi të mbinatyrshme, thotë se ka gjetur një gjuhë komunikimi me lexuesit:
“Më kënaq ideja që po ndajmë me njëri-tjetrin të njëjtën histori, që njohim të njëjtat personazhe”.
Librat e Courtney Allison Moulton-it janë të mbushura me luftime me shpata, gjë që ka tërhequr shumë meshkuj, thotë shkrimtarja:
“Kisha një shok që ishte me shërbim në Afganistan. Ai mori me vete disa nga librat e mi dhe ua dha të tjerëve t’i lexonin. Pra gjithë këta djem me shërbim ushtarak i pëlqejnë librat me aksion dhe lexojnë romanet e mia”.
Fuqitë e mbinatyrshme tërheqin 25-vjeçarin Exal Iraheta:
“Ky subjekt të nxjerr nga realiteti i përditshëm, nga rutina. Kush nuk dëshiron të ndjehet i veçantë?”
Disa prej romaneve, si cikli shumë popullor i romaneve “Twilight”, i realizuar tashmë edhe në cikël kinematografik, kanë vampirë si personazhe kryesore. Por 13-vjeçarja Jennifer Vu, thotë se këto vepra ofrojnë edhe elementë të tjerë:
“Më pëlqejnë romanet me mister, më pëlqen ndjesia e së panjohurës dhe subjektet me vrasje”.
Popullariteti i kësaj zhanre është mirëpritur nga shitësit e librave si pronarja e librarisë Blue Willow, Valerie Koehler (KAY-ler) e cila parashikon se shfaqja e fimit të ri bazuar në ciklin “Hunger Games” do të sjellë rritje të xhiros së dyqanit, ashtu siç ndodhi me filmat e serialit “Twilight”.
“Kur doli në kinema filmi “Twilight” mendonim se libri ishte lexuar nga të gjithë. Por doli se kishte plot njerëz që nuk i kishin lexuar ende këto libra”.
Por për shumë lexues të dedikuar thonë se megjithë realizimet madhështore kinematografike, ata nuk arrijnë në gjejnë në ekran atë që kanë gjetur në faqet e librit.