Lidhje

Vdes gazetari i njohur britanik David Frost


Vdiq në moshën 74-vjeçare, gazetari i njohur britanik, David Frost, që mori famë botërore për një seri intervistash me ish-presidentin amerikan Richard Nixon.

Në njoftimin e familjes thuhej se Frost vdiq të shtunën nga një infarkt, ndërsa po udhëtonte në anijen Queen Elizabeth. Ai do të mbante një fjalim në anijen luksoze gjatë udhëtimin 10-ditor.

Gjatë karrierës së tij si gazetar televiziv, që përfshin një periudhë 50 vjeçare, David Frost ka intervistuar një numër të madh udhëheqësish dhe njerëzish me ndikim, si kryeministra britanikë, presidentë amerikanë dhe ikonën kundër apartejdit Nelson Mandela.

Në intervistën e njohur të vitit 1977 me ish-presidentin Nixon, Frost e bëri presidentin amerikan të shprehte keqardhje për veprimet e tij në skandalin e Watergate-it, që e detyroi atë të jepte dorëheqjen tre vjet më parë. Intervista u bë më vonë skenari i filmit të Hollivudit të vitit 2008, Frost/Nixon.
XS
SM
MD
LG