Lidhje

Reagime për debatin e parë presidencial


Përfaqësues të të dy palëve shprehen pozitivisht për paraqitjen e kandidatit të tyre

Debati i parë presidencial mes presidentit Obama dhe kandidatit republikan Romney është shoqëruar me reagime të ndryshme. Përfaqësues të të dy krahëve të politikës shprehen pozitivisht për paraqitjen e kandidatit të tyre. Ndërkohë me interes është ndjekur ky debat edhe nga votuesit e rinj.

Ish kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, republikani Rudy Guliani, tha se zoti Romney goditi në shenjë duke i përshkruar politikat e zotit Obama si nxitëse të një strukture më të gjerë qeverisëse.

“Momenti im i preferuar ishin këto komente, ku guvernatori Romney, mendoj se ilustroi shumë qartë atë që zoti Obama i ka bërë ekonomisë sonë, se si ai e ka dëmtuar atë duke u përpjekur që të zmadhojë qeverinë, duke krijuar përshtypjen se nëse krijohen më shumë struktura qeveritare, mund të krijohen edhe më shumë vende pune, por në fakt kjo e shkatërron ekonominë”.

Jen Psaki, është zëdhënëse për fushatën e zotit Obama. Ajo thotë se presidenti donte t’u tregonte votuesve se ka një dallim të qartë mes tij dhe zotit Romney:

“Mendoj se është një fushatë e ndryshme dhe në këtë debat qëllimi i tij ishte t’u shpjegonte amerikanëve se ku ishin dhe se ku duhet të shkojmë. Ai ka qenë president për katër vjet. Ky vend ka kaluar përmes kohërave të vështira, dhe atij i duhet të shpjegojë se çfarë do të ndodhë nëse vihet në zbatim një sistem që kufizon kujdesi shëndetësor për të moshuarit, nëse ndalim reformën e Wall Street-it, nëse zgjasim shkurtimet e taksave tek milionerët dhe miliarderët”.

Shumë analistë mediatikë dhe vëzhgues politkë e kanë quajtur paraqitjen e zotit Obama si të flashkët gjatë përballjes me rivalin e tij republikan, i cili u shfaq më agresiv gjatë debatit.

Ndërkohë shumë studentë në Denver të Kolorados, e ndoqën debatin për të kuptuar e për të qartësuar mendimin e tyre rreth kandidatit për të cilin duan të votojnë.

Raleigh Marmorstein, student i psikologjisë thotë:

“Mendoj se fatkeqësisht Mitt Romney nuk plotësoi pritshmëritë që kisha për të, dhe mendoj se do të votoj për Obamën”.

George Apregan, student i gjeografisë thotë:

“Ende po mendoj por më duket se jam më shumë pro Mitt Romney-it mbas këtij debati. Më duket sikur ai i përshkroi më qartë planet e tij. Më duket sikur ai është më pranë meje me idetë e tij dhe jam më dakord me planin e tij”.

Debati i radhës mes kandidatëve presidencialë do të zhvillohet në datën 16 tetor.

XS
SM
MD
LG