Lidhje

Eksperti: Trump duhet të kërkojë ndjesë


Një ekspert debatesh thotë se republikani Donald Trump do të tregohej i mençur nëse kërkon ndjesë në debatin e së dielës mbrëma për komentet fyese ndaj grave të bëra prej tij një dekadë më parë.

Aaron Kall, ekspert debatesh në Universitetin e Miçiganit, i tha Zërit të Amerikës se “Në përgjithësi, njerëzit janë të gatshëm të falin,” “Në qoftë se ai tregon se është penduar, kjo do të ishte në favor të tij”.

Por zoti Kall thotë se do të ishte shenjë dëshpërimi nga ana e zotit Trump, nëse pas kësaj ai sulmon kandidaten demokrate Hillary Clinton me akuzën se ajo la qenë shkak për tradhtitë bashkëshortore të të shoqit, ish-presidentit Bill Clinton, duke denigruar gratë që gjatë viteve kanë pretenduar se zoti Clinton u ka kërkuar marrëdhënie seksuale pa dëshirën e tyre.

Bill Clinton, i cili ka shërbyer si president për dy mandate deri në vitin 2001, iu nënshtrua procedurave të shkarkimit pasi gënjeu për marrëdhëniet e tij me një praktikante në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, gjyqi në Senat nuk e shpalli atë fajtor, gjë që do ta kishte detyruar të largohej nga detyra.

Kandidati Trump ka lënë të kuptohet se do të ngrejë akuza kundër çiftit Clinton, gjë që sipas ekspertit Kall, “do të gjallëronte bazën e votuesve të tij”.

Por zoti Kall thotë se kjo mund të mos i shërbente zotit Trump, sepse “njerëzit nuk kanë dëshirë ta rigjykojnë atë periudhë. Njerëzit duan të shohin përpara. Ata janë më të shqetësuar për vendet e punës, për buxhetin e familjeve të tyre”, tha eksperti.

XS
SM
MD
LG