Lidhje

Debati i parë i kandidatëve republikanë për zgjedhjet presidenciale


Dhjetë kandidatët e parë republikanë për president filluan zyrtarisht sezonin e fushatës për zgjedhjet e vitit 2016, me debatin e tyre të parë të zhvilluar në Klivlend të Ohajos. Megjithë publicitetin e madh që ju bë paraprakisht, në shumë mënyra, debati u zhvillua sipas parashikimeve.

Miliarderi Donald Trump la të kuptohet se ai nuk ka për t'u tërhequr së shpejti nga gara dhe se do t'i përgjigjet me ëndje sulmeve ndaj tij.

Por Trump mund të ketë shkaktuar dyshime mes republikanëve lidhur me angazhimin e tij ndaj partisë. Ai ishte kandidati i vetëm i debatit i cili refuzoi të angazhohet se do ta mbështeste të emëruarin e partisë republikane për kandidat presidencial dhe nuk përjashtoi as mundësinë se do të mund të kandidonte si i pavarur.

“Unë nuk kam për të bërë tani ndonjë premtim", - tha Trump, kur ai u pyet me ngulm nga njëri prej moderatorëve të debatit. Kjo solli një përgjigje të ashpër nga senatori i Kentakit Rand Paul. “Ai po i bën bisht pyetjes, sepse është mësuar t'i blejë politikanët". Por në fakt Paul ishte një nga të paktit debatues që e vazhdoi ofensivën ndaj Trumpit në debatin dy orësh.

Me qëndrim kurajoz, Trump po ashtu nuk pranoi të kërkojë falje kur moderatorja Megyn Kelly e televizionit Fox News e pyeti lidhur me komentet fryese që ai i ka bërë në të kaluarën ndaj grave, duke përdorur epitete si "derr i shëndoshë", "qen” dhe që “i përkasin llumit".

"Problemi i madh që ka ky vend është çështja e të qenit korrekt politikisht," tha Trump. "Të them të drejtën unë nuk kam kohë për të qenë plotësisht korrekt politikisht. Dhe që të jem i ndershëm me ju, edhe ky vend nuk ka kohë për një gjë të tillë,"- tha ai.

Por disa nga analistët e pyetur pas debatit patën reagime negative ndaj tonit të Donald Trumpit dhe ndaj asaj që ata e shohin si mungesë qartësie për disa çështje.

Imigracioni i paligjshëm, një pikë e nxehtë e debatit

Donald Trump i doli në mbrojtje komenteve të tij kundërthënëse lidhur me imigrantët e paligjshëm nga Meksika, disa prej të cilëve ai i cilësoi "kriminelë". Trump tha: "Po të mos isha unë, ju nuk do të flisnin për imigracionin e paligjshëm." Ai po ashtu vuri në dukje se ish guvernatori i Floridës Jeb Bush e kishte kundërshtuar tonin e tij kur foli për imigracionin.

Zoti Bush tha gjatë debatit se gjuha e Donald Trumpit ishte përçarëse dhe i qëndroi pikëpamjes së tij se imigrantët që përpiqen të vijnë në SHBA, e bëjnë këtë "nga dashuria", duke patur si synim një jetë më të mirë për familjet e tyre.

Senatorët Marco Rubio i Floridës dhe Ted Cruz i Texas-it po ashtu theksuan nevojën për një kontroll më të mirë të kufijve, duke folur për çështjetn e imigracionit.

Çështje të politikës së jashtme

Disa nga debatuesit kritikuan me forcë administratën e presidentit Obama lidhur me marrëveshjen bërthamore me Iranin dhe përpjekjet e tij për t'iu kundërvënë Shtetit Islamik.

Zoti Cruz tha se SHBA nuk do të ishin dot fitimtare pa patur një president të vendosur në luftën kundër terroristëve, siç u shpreh ai, "një president, i cili duhet të shqiptojë fjalët terroristët islamikë radikalë ".

Guvernatori i Uiskonsinit Scott Walker, tha se ai do ta anulonte marrëveshjen me Iranin që ditën e tij të parë si president.

Ish-guvernatori i Arkansasit Mike Huckabee tha se qëndrimi i Presidentit Obama ndaj marrëveshjes ishte jo i bindshëm, siç u shpreh ai, "nga një anë thotë se ka besim, nga ana tjetër e përgojon".

Një ditë para debatit, zoti Obama e mbrojti me forcë marrëveshjen në një fjalim që mbajti në Uashington.

Në njërin prej shkëmbimeve më zjarta të mbrëmjes, Rand Paul dhe guvernatori i Nju Xhërsit Chris Christie replikuan me njeri tjetrin lidhur me gjetjen e një balance të drejtë mes mbrojtjes së vendit nga një sulm terrorist me mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.

"Unë dua që të grumbullohen më shumë të dhëna për terrosistët dhe më pak për amerikanët e zakonshëm," tha zoti Paul, që është një kritik i zëshëm i grumbullimit të tabulateve telefonike nga NSA, Agjencia Kombëtare e Sigurisë.

Guvernatori Christie, ju kundërpërgjigj, duke e cilësuar përgjigjen e zotit Paul qesharake.

"E di senator, se kur je në nënkomisionin e Senatit, ndoshta mund të thuash gjëra të kësaj natyre, por kur je përgjegjës për mbrojtjen e jetës së poupullit amerikan, atëhere duhet të sigurohesh që të përdorësh një sistem që të funksionojë. " tha zoti Christie.

Shkëmbimi mes dy debatuesve ishte reflektim i një hendeku të gjerë që ekziston mes republikanëve, që mbështesin politika më agresive për sigurinë kombëtare dhe atyre që kanë një qëndrim më liberal.

Bush: Jam krenar për vëllain tim

Ish-guvernatori i Floridës Jeb Bush, i cili shihet gjerësisht si një favorit i Partisë Republikane, pranoi se ai duhet të tregohet i aftë të bëjë dallimin mes vetes, të vëllait, ish presidentit George W. Bush dhe babait të tij, ish-Presidentit George H.W. Bush.

"Mua do të më duhet ta fitoj vetë emërimin e parties”, - pranoi Jeb Bush. "Ndoshta për mua standartet janë më të larta se për kandidatët e tjerë. S'ka problem. Unë i kam provat, me punën time si guvernator i Floridës. Jam krenar për babain dhe për vëllanë tim."

Duke theksuar një ndryshim në politika me vëllanë e tij, Jeb Bush pranoi se pushtimi i Irakut në vitin 2003 "ishte një veprim i gabuar", duke fajësuar më pas Presidentin Barack Obama për fuqizimin, për pasojë, të Shtetit Islamik, apo ISIS-it.

"Barack Obama u bë president dhe ai e braktisi Irakun, tha Jeb Bush. "Pas largimit të trupave amerikane, nga boshllëku i krijuar, lindi ISIS dhe nga ky boshllëk atje ekziston sot një kalifat me përmsat e shtetit të Indianës."

Një gjë është e qartë: marrëveshja me Iranin dhe lufta kundër Shtetit Islamik do të mbeten çështjet kryesore në fushatën presidenciale të vitit 2016.

Prova e parë e madhe

Debati i Klivelendit ishte prova e parë për kandidatët republikanë. Por do të ketë të paktën edhe 8 debate të tjera dhe votuesit do të kenë kohë të mjaftueshme për t'u njohur me kandidatët.

“Moment interesant ka për të qenë kur kandidatët të mendojnë në mënyrë të pavarur, sepse tani pak a shumë ata janë duke folur në përgjithësi për çështje për të cilat janë përgatitur më parë", tha analisti republikan Scot Faulkner.

Guvernatori i Ohajos John Kasich dhe kirurgu në pension Ben Carson po ashtu morën pjesë në debat, por ata mbetën nën hije për shkak të komenteve të Donald Trumpit. Miliarderi Trump ka shkaktuar zemërim dhe pasiguri mes republikanëve konservatorë, por intonacioni i tij e ka çuar të paktën tani për tani në krye të garës.

Shumë analistë besojnë se votuesit republikanë do të fokusohen tek një grup i vogël kandidatësh për të cilët ata besojnë se kanë shanse të fitojnë Shtëpinë e Bardhë vitin e ardhshëm.

“Sigurisht, që mes republikanëve ekziston shumë prirja për ndryshim”, thotë Karlyn Bowman, që ndjek anketimet në Insitutin American Enterprise. “Votuesit republikanë duan një president republikan. Ata kanë kohë që nuk kanë një president të tyrin, prandaj kanë për të qenë shumë kompetitivë dhe agresivë."

Pjesa tjetër e kandidatëve

Para debatit kryesor, shtatë kandidatëtë të tjerë republikanë, të cilët nuk mundën të hyjnë në dhjetëshen e parë, zhvilluan debat më parë, po në Klivlend. Nuk pati ndonjë koment të spikatur, por disa prej debatuesve kritikuan ashpër udhëheqjen e Presidentit Obama dhe kandidaten kryesore të demokratëve, Hillary Clinton.

Senatori i Karolinës së Jugut Lindsey Graham tha se zonja Clinton përfaqëson “një presidencë të tretë të dështuar". Ish drejtoresha ekzekutive e kompanisë Hewlett-Packard, Carly Fiorina, po ashtu kritikoi zonjën Clinton për gënjeshtra lidhur me sulmin terrorist në ambasadën amerikane në Bengazi. Zonja Fiorina, ish guverantori i Teksasit Rick Perry dhe guvernatori i Louizianës Bobby Jindal bënë komente të fuqishme në debatin e parë.

Në këtë debat, po ashtu morën pjesë ish guvernatri i Virxhinias Jim Gilmore, ish guvernatori i Nju Jorkut George Pataki dhe ish senatori i Pensilvanisë Rick Santorum.

Zyrtarët e Partisë Demokrate ndërkohë kanë njoftuar datat për debtatet e tyre. Janë në plan të zhvillohen 6 debate, i pari më 13 tetor, në Nevada.

XS
SM
MD
LG