Lidhje

Debati i Republikanëve: Kandidatët sulmojnë Mit Romnin


Debati i Republikanëve: Kandidatët sulmojnë Mit Romnin
Debati i Republikanëve: Kandidatët sulmojnë Mit Romnin

Të pesë kandidatët e mbetur që kërkojnë emërimin e partisë republikane për president zhvilluan mbrëmë një debat në shtetin e Karolinës së Jugut, vetëm disa ditë para se votuesit të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme paraprake në këtë shtet. Edhe pse debati preku një gamë të gjerë çështjesh përfshirë ekonominë amerikane, papunësinë dhe politikën e jashtme, disa prej kandidatëve e shfyrtëzuan debatin për të sulmuar kandidatin i cili është në krye të anketave, ish-guvernatorin e Masaçusetsit, Mitt Romney.

Kandidatët republikanë Newt Gingrich dhe Rick Perry sulmuan biznesin e zotit Romney dhe i bënë thirrje votuesve t’i hedhin një vështrim nga afër firmës së tij, Bain Capital, një kompani investimesh që blen kompani tjera me synimin për t’i bërë ato më konkurruese në treg.


Duke folur gjatë debatit, i cili u organizua nga rrjeti televiziv Fox News, zoti Gingrich argumentoi se në disa raste, kompanitë e blera nga firma Bain Capital janë përfshirë nga borxhe të mëdha ose kanë falimentuar.

“Mendoj se ngritja e pyetjeve është element i rëndësishëm i fushatës për të parë nëse kundërshtari juaj mund t’u përgjigjet atyre në mënyrë efektive para se të shkojë në zgjedhjet e përgjithshme, ku ju e dini se këto pyetje do të shtrohen”.

Vetëm disa orë para fillimit të debatit, kandidati republikan dhe ish-guvernatori i shtetit Utah, Jon Huntsman u largua nga gara, duke e zvogëluar numrin e kandidatëve nga 6 në 5. Dhe, pavarësisht se në të kaluarën ai e ka sulmuar Mit Romnin, zoti Huntsman vendosi ta mbështesë atë.

Të katër kandidatët e tjerë të mbetur në garë, Rick Santorum, Ron Paul, Rick Perry dhe Newt Gingrich po përpiqën ta ngadalësojnë suksesin e zotit Romney para votimit të së shtunës në Karolinën e Jugut. Analistë politikë dhe madje edhe vetë zoti Gingrich, kanë thënë se nëse Romney fiton zgjedhjet e kësaj jave, ai ka gjasa të bëhet kandidati i partisë për president.

Rick Perry i bëri presion zotit Romney të publikojë të dhënat mbi taksat dhe të ardhurat e tij, duke vënë në dukje se ai e ka bërë tashmë këtë dhe se ai beson se Newt Gingrich do të bëjë të njejtën gjë pas kësaj jave.

“Ne kërkojmë që ju t’i publikoni të dhënat për të ardhurat dhe taksat tuaja në mënyrë që njerëzit e këtij vendi mund të shohin se si i fitoni paratë tuaja”.

Romney iu përgjigj kërkesës së zotit Perry, duke thënë se ai nuk është kundër publikimit të të dhënave mbi taksat dhe të ardhurat e tij.

“Ajo që zakonisht ka ndodhur në të kaluarën është se njerëzit i kanë bërë publike të dhënat për taksat dhe të ardhurat në muajin prill, edhe unë do ta bëjë të njejtën gjë.”

Anketat e fundit në Karolinën e Jugut tregojnë se zoti Romney ka një epërsi të fortë. Një sondazh i opinionit publik i organizuar të hënën nga rrjeti televiziv CNN dhe ORC International, tregon se kandidatët republikanë për president, Mitt Romney dhe Ron Paul kanë pothuaj të njejtën përkrahje me presidentin Barak Obama në qoftë se zgjedhjet e nëntorit do të zhvilloheshin sot.

Sipas anketës, 48 për qind thonë se do të votonin për zotin Romney dhe 47 për qind thonë se do të mbështesnin rizgjedhjen e presidentit Obama. Në anketën e cila krahasonte kandidatin Ron Paul me presidentin Obama, 48 për qind thanë se do të mbështesin presidentin dhe 46 për qind thanë se do të mbështesin ligjvenësin Ron Paul.

XS
SM
MD
LG