Lidhje

Debati për ferexhetë dhe Burkat vazhdon zinxhir në Europë


Debati për ferexhetë dhe Burkat vazhdon zinxhir në Europë
Debati për ferexhetë dhe Burkat vazhdon zinxhir në Europë

Votimi në parlamentin francez për të ndaluar mbajtjen e burkave dhe ferexhesë në publik nga gratë myslimane ka shkaktuar një efekt zinxhir në Evropë. Vende të tjera evropiane po shqyrtojnë tani hapa të ngjashme. Sipas ligjit francez, gratë që mbajnë burkan do të ndëshkohen me gjobë. Ndërsa burrat që i detyrojnë me forcë bashkëshortet të veshin burkat mund të dënohen me burgim. Përkrahësit e ligjit thonë se ai forcon karakterin laik të shoqërisë franceze, por kritikët e shohin si një kufizim të panevojshëm të lirive personale.

Mariam Belkirit, studente në një universitet francez, i pëlqen mënyra perëndimore e jetesës, blerjet, shoqëria dhe udhëtimet e shpeshta jashtë shteti.

Ajo është myslimane por ka vendosur të mos e vërë ferexhenë. Pavarësisht nga ky fakt, ajo thotë se askush nuk duhet t’i tregojë asaj apo dikujt tjetër se çfarë mund të veshin apo jo.

“Çdo grua ka të drejtën të shprehë besimin sipas mënyrës së saj. Ka probleme të tjera më të rëndësishme që qeveria duhet të trajtojë në Francë”.

Në qytetin jugor Avinjon, Kenza Drider ka një interpretim më rigoroz të fesë islame. Ajo e mbulon fytyrën me ferexhe, me dëshirën e saj. Nëse ligji i ri hyn në fuqi, ajo do të gjobitet 200 dollarë po të dalë në publik me ferexhe.

“Kurrë nuk do ta ndryshoj jetën time për askënd në këtë botë. Ferexheja ime është ferexheja ime dhe do ta mbaj," thotë Kenza.

Sipas përllogaritjeve zyrtare, më pak se 2 mijë gra në Francë veshin burkan që mbulon gruan nga koka te këmbët. Por qeveria pretendon se kjo bie ndesh me vlerat e republikës franceze.

Dhoma e ulët e parlamentit e miratoi projektligjin me 335 vota pro dhe asnjë kundër. Jacques Myard i partisë në pushtet, UMP, e cila mbështet ndalimin e ferexhesë, thotë se nuk vë në shenjestër myslimanët në mënyrë të padrejtë, por forcon karakterin laik të vendosur nga revolucioni francez.

“Kjo është diçka që bie ndesh me historinë tonë, traditat dhe parimet tona. Parimet e dinjitet për individin dhe parimet e barazisë ndërmjet gjinive. Po ashtu është edhe sfidë për sigurinë, sespse nuk dihet kush fshihet nën ferexhesë”.

M’Hammed Nenniche e konsideron si ironik momentin e miratimit të ligjit. Ai dhe kolegët e tij nga Bashkimi i Shoqatave Myslimane, po debatojnë në një periferi të Parisit rreth ligjit të ri. Ata thonë se ligji, jo vetëm që nuk do të forcojë unitetin, por kërcënon të armiqësojë 5 milionë myslimanët e Francës:

“Dalin përditë tema të reja, për shembull s ky ligj kundër ferexhesë, apo si debati lidhur me identitetin francez, që shumë shpejt u shndërrua në akuza kundër myslimanëve dhe fesë islame, ose diskutimet për ndalimin e ngritjes së minareve dhe xhamive. Kur i mbledh të gjitha këto së bashku, lind pyetje se mos problemi për qeverinë qëndron tek feja islame”.

Që nga trazirat e vitit 2005, qeveria ka patur marrëdhënie të trazuara me pjesën dërrmuese të banorëve myslimanë në lagjet periferike në verilindje të Parisit.

Demostruesit e akuzuan policinë për trajtim të padrejtë. Ligji që ndalon burkën, ka të ngjarë të armiqësojë miliona myslimanët që jetojnë në periferi të Parisit dhe gjetkë.

Ligji tani do të kalojë në Senat për miratim dhe ka përpara sfida ligjore. Ka kritikë që thonë se ligji shkel kushtetutën franceze dhe janë zotuar ta çojnë çështjen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Anketat tregojnë se shumica e francezëve e mbështesin ndalimin e ferexhesë. Por si Miriam, ashtu edhe Kenza, pavarësisht se e praktikojnë në forma të ndryshme fenë e tyre, e shohin ligjin si shkelje të të drejtave të tyre thelbësore.

XS
SM
MD
LG