Lidhje

Demokratët kërkojnë miratimin e aktit Dream që hap rrugën e nënshtetësisë për të rinjtë imigrantë


Demokratët kërkojnë miratimin e aktit Dream që hap rrugën e nënshtetësisë për të rinjtë imigrantë
Demokratët kërkojnë miratimin e aktit Dream që hap rrugën e nënshtetësisë për të rinjtë imigrantë

Dhoma e Senatit ku u mbajt seanca dëgjimore ishte e mbushur plot me të rinj, shumë prej tyre imigrantë të paligjshëm të cilët mund të përballen me deportim nëse Kongresi nuk miraton aktin Dream. Senatori demokrat Dick Durbin i shtetit Illinoi është përpjekur për 10 vjet rrjesht por pa sukses që të kaloj në Kongres legjislacionin.

“Kur i hedh vështrimin kësaj salle shoh të ardhmen e Amerikës, mjekët tanë, mësuesit, infermieret, inxhinierët, shkencëtarët tanë, ushtarët, kongresmenët dhe senatorët dhe ndoshta presidentin tonë. U kërkoj kolegëve të mi të konsiderojnë situatën e këtyre të rinjëve që e gjejnë veten në një mugëtirë ligjore pa fajin e tyre. Ata janë të gatëshëm t’i sherbejnë vendit që e duan. E gjithë ajo që po kërkojnë është një shans.”

Ola Kaso nga Michigani e cila ka lindur në Shqipëri dhe sapo ka marrë diplomën e shkollës së mesme, foli për shumë të rinj pa dokumente në të gjithë vendin të cilët kanë patur rezultate të larta nëpër shkollat amerikane dhe do të dëshironin të studionin në Shtetet e Bashkuara ose të sherbinin në ushtrinë amerikane.

“Jam studente e aktit Dream. Më sollën në këtë shtet kur ishta pesë vjeçe. Unë u rrita këtu. Në zemër ndjehem amerikane. Ka mijëra të tjerë si unë. Hidhni syrin kësaj dhome dhe do të shikoni qindra prej tyre sot. E gjithë ajo qe ne po kërkojmë për vete është një shans për të kontribuar për vendin tonë që e duam.”

Ola Kaso tregoi se ajo përballej me deportim në më pak se një vit edhe pse asaj i janë ofruar disa të drejta studimi nëpër universitetet amerikane dhe ka në plan të bëhet mjeke kirurge që të luftojë tumorët kancerozë.

Presidenti Barak Obama mbështet fuqishëm Aktin Dream dhe disa prej ndihmësave të tij morën pjesë në senacën dëgjimore të së martës. Sekretarja e Departamentit të Sigurisë Kombëtare Janet Napolitano, Sekretari i Departamentit të Arsimit Arne Duncan dhe Nënsekretari i Mbrojtjes Clifford Stanley thanë se administrata e presidentit Obama e mbështet fuqishëm aktin Dream sepse do të zgjeronte numrin e rekrutëve ushtarakë, nxiste talentët mes imigrantëve që të ndjekin arsimin e lartë dhe do të lejonte zyrtarët e rendit të përqendronin punën tek imigrantët e paligjshëm të rrezikshëm.

Sekretarja e Departamentit të Sigurisë Kombëtare Janet Napolitano tha se Presidenti Obama vendosi dy vite më parë të kanalizojë burime të kufizuara qeveritare për kapur imigrantë të paligjshëm që kanë kryer krime dhe se akti Dream do të ofronte një masë ligjore për ata të rinj që duan të kontribojnë ndaj shoqërisë amerikane.

“Akti Dream mbështet këto prioritete të rendësishme, sepse vetëm të rinjët që duan të kontribojnë për vendin tonë dhe plotësojnë kushtet e rrepta për karakter moral dhe probleme me ligjin do të përfitojnë. Këta individë nuk përbëjnë rrezik për publikun dhe sigurinë kombëtare.”

Sekretari i Arsimit Duncan tha se akti Dream do të sillte 1.4 miliard dollarë në të ardhura gjatë dekadës së ardhëshme, para që do të reduktonin defiçitin prej 14 trilion dollarësh. Ai tha se shumë prej sipërmarrësve të talentuar që ka Amerika janë imigrantë.

“Shifrat tregojnë se kompanitë fillestare nga Silicon Valley, rreth një e katërta janë filluar nga imigrantët. Na duhet ky talent. Na duhen që t’i japin një hov këtij vendi. Ata mund të jenë ushqimi i motorit tonë ekonomik.”

Por republikanët në panelin e Senatit ishin skeptik, duke thënë se demokratët po përdorin aktin Dream si një vegël politike që të fitojnë mbështetjen e votuesve hispanikë. Senatori republikan John Cornyn i Teksasit tha se demokratët nuk i kanë mbajtur premtimet e tyre për të forcuar sigurinë në kufi.

“Fatkeqësisht, kjo projekrezolutë nuk bën asgjë për të rregulluar sistemin e imigracionit që çalon. Thjeshtë është një mjekim i rastit dhe ndoshta edhe më keq, do të nxisë imigracionin ilegal.”

Disa ligjvënës republikanë po ashtu kanë shprehur shqetësim se akti Dream do u jepte status të ligjshëm më shumë punonjësve pa dokumente që të studiojnë në universitete dhe ndoshta shumë amerikanë do të humbisnin vendet e punës.

Akti Dream u miratua dhjetorin e kaluar kur Dhoma e Përfaqësuesve kontrollohej nga demokratët por nuk arriti të siguronte votat e duhura në Senat. Tani që republikanët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, kjo masë ka shanse edhe më të vogla që të bëhet ligj. Por senatori demokrat Durdin u tha imigrantëve të rinj në seancën e djeshme që të mos ndalin shpresat, duke thënë se mund të marrë kohë por se beson se kjo masë përfundimisht do të miratohet.

XS
SM
MD
LG