Lidhje

Derbi i Peshkimit, ngjarje e rëndësishme për një qytet në Alaska


Në Gadishullin Kenai të Alaskës, qyteti Homer e quan veten me krenari kryeqyteti i botës për peshkimin e shojzës, një peshk i Atlantikut Verior. Për mbi 30 vjet me radhë ka organizuar Derbin e Përvitshëm të Shojzës. Korrespondentët e Zërit të Amerikës, Natasha Mozgovaya dhe Aleksandr Bergan morën pjesë në derbin e këtij viti.

Në shtetin e Alaskës ka sezone për aktivitete të ndryshme, përfshirë sezonin turistik, atë të mbledhjes së frutave të tokës dhe të gjuetisë së drerëve brilopatë. Por për banorët e qytetit Homer, në Gjirin Kachemak, sezoni më i rëndësishëm është ai i peshkimit. Nga maji në tetor, mijëra vizitorë nga e gjithë bota shkojnë për të marrë pjesë në Derbin e Përvitshëm të Shojzës, me shpresën për të fituar garën.

Mund të blesh një biletë 10 dollarëshe për çdo ditë që peshkon. Nëse kap një peshk me shenjë ose të madh, kapitenët e sjellin këtu, ne e peshojmë. Disa prej tyre i kthejnë peshqit në ujë dhe ne i inkurajojmë njerëzit ta bëjnë një gjë të tillë. Peshqit e mëdhenj, janë zakonisht mamatë dhe ne duam që vezët të kthehen prapë në ujë që të kemi mundësi për peshkim për një kohë të gjatë”, thotë Bridget Maryott, Drejtore e Aktiviteteve, Dhoma e Tregëtisë e Homerit.

Shumica e pjesëmarrësve janë peshkatarë tregëtarë, por në garë marrin pjesë edhe peshkatarë për sport, përfshirë gra dhe fëmijë.

"Është ngjarje e madhe. Shumë njerëz sigurojnë jetesën prej saj, njerëz si unë që punojnë me barka dhe sigurojnë jetesën. Ne dalim në oqean për të gjetur peshkun më të madh”, thotë James Spencer, peshkatar tregëtar.

Christen Smith vjen nga Kalifornia për të peshkuar në Alaskë. Është viti i pestë që ajo shkon për të peshkuar me miqtë e saj, në të njëjtën barkë, me të njëjtin kapiten. Megjithëse organizatorët përpiqen që të bëjnë të mundur që edhe ata që nuk kanë shumë përvojë të mos dalin duarzbrazur, ajo thotë se gjithsesi peshkimi i shtojzës do një aftësi të veçantë.

Duhet të mësosh se si të peshkosh dhe duhet të kesh muskuj, sepse peshqit shpesh ikin dhe janë të rëndë dhe duhet t’i nxjerrësh nga një thellësi prej 33 metrash. Pastaj i bëjmë fileto, i ngrijmë dhe e hamë për gjithë vitin”, thotë zonja Smith.

Ayjan Arik i ndihmon turistët t’i ndajnë peshqit gjigantë në fileto. Ajo sa është diplomuar me mastër në spanjisht dhe shpreson të bëhet mësuese. Por çdo verë ajo vesh pantallona mbrojtëse, merr një thikë të mprehtë dhe i futet punës.

Peshku më i madh që kam pastruar ndonjëherë ishte vitin që kaloi. Ndava në fileto një peshk afro 113 kilogramësh, ndërsa Georges pastroi dhe ndau një peshk 136 kilogramë. Janë peshq që bëhen shumë të mëdhenj” , thotë zonja Arik.

Është një punë e rëndë fizike, por Ayjan nuk ankohet.

Gratë në Alaska janë të forta, prandaj ka plot vajza këtu që e bëjnë këtë punë”, thotë ajo.

Çdo vit, peshkatarët në Alaskë kapin mbi 2 milionë tonë peshk: salmon, shojzë, harenngë. Industria e peshkut është punëdhënësi më i madh privat në këtë shtet.

Por, është një profesion i vështirë. Në Homer është ngritur një përkujtimore e peshkatarëve që nuk arritën të ktheheshin mbrapsht (mbi 70 që nga viti 1934). Por, industria e peshkimit në Alaska, menaxhohet tani me rregulla të shumta në përpjekje për të minimizuar rreziqet për të ruajtur peshqit që ata të mund të shumohen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG