Lidhje

Dhitë ekologjike në Kapitol


Ndërkohë që anëtarët e Kongresit amerikan janë me pushime, puna vazhdon rreth Selisë së Kongresit. Dhe jo vetëm nga stafi i kongresmenëve. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Rosanne Skirble, një kope dhish ishin lënë të lira në Varrezat Historike të Kongresit për të zgjidhur një problem irritues mjedisor.

Dhitë erdhën të hanin. Dhe ato nuk humbën kohë, thotë stërvitësi i tyre zoti Brian Knox, i cili është pronar i një kompanie të quajtur Eco-Goats.

“Ato hanë deri në mesnatë dhe zgjohen në tre të mëngjesit për të ngrënë përsëri.”

Varrezat Historike të Kongresit datojnë që nga viti 1807. Edhe pse nuk janë zyrtarisht të lidhura me Kongresin, ky është vendi ku prehen rreth 200 kongresmenë dhe familjet e tyre, ish-drejtori i FBI-së J. Edgar Hoove, kompozitori John Philip Sousa, madje edhe një anëtar cirku i cili u vra nga një tigër kur ishtë këtu.

Dhitë janë këtu për të hequr shkurret të cilat bllokojnë një pamje të lumit Anacostia nga njëri fund i varrezave, thotë zoti Paul Williams, presidenti i Shoqatës për Ruajtjen e Varrezave Historike të Kongresit.

“I sollëm dhitë sepse kemi një problem me disa bimë në vendin ku ndodhen pemët, dhe jo ku bëhen varrimet. Por ato bimë mund të dëmtojnë pemët e rritura dhe pemët pastaj mund të bien përmbi varret historike.”

Zoti Williams thotë se dhitë janë një alternativë më e mirë për mjedisin se sa prerja e bimëve me dorë, përdorimi i kimikatëve dhe i pajisjeve të rënda.

Zoti Knox ka sjellë 60 dhi për këtë punë.

“Pra, vendi i përsosur për t’i lëshuar dhitë është atje ku ju nuk keni ndonjë gjë që dëshironi të ruani, sepse ato nuk diskriminojnë. I referohemi atyre si herbicidë me këmbë.”

Këto kafshë mbahen prapa gardheve elektrike dhe zinxhirëve për t'i mbajtur jashtë vendit të varrimit, bari i të cilit është prerë bukur. Zoti Paul Williams thotë se ndërsa dhitë konsumojnë bimët pa ndalim në mënyrë agresive, ato gjithashtu po tërheqin vizitorë në këtë vend historik.

“Ato me të vertetë po tërheqin njerëz. Po e trajtojmë këtë si një program edukativ për të sjellë më shumë njerëz të shohin këto varreza të bukura.”

Zonja Holly Howe jeton aty afër dhe erdhi shpejt me djemtë e saj Quinton, Hollis, dhe Harrison për të parë dhitë gjatë punës.

“Nuk është diçka për të cilën kisha dëgjuar më parë. Është një eksperiment shumë i mirë, dhe funksionon. Ata e dinë se çfarë po bëjnë.”

“Mami im erdhi në dhomën time herët në mëngjes dhe filloi të bërtiste ‘dhitë! dhitë!’ Ajo na detyroi të vinim këtu dhe me të vërtetë që është bukur!”

“...vetë fakti që nuk na duhet të përdorim kimikate që dëmtojnë mjedisin. Mund të përdorim një zgjidhje të mirë me këto kafshë.”

“Dhe ato po hanë gjithçka! Nuk e dija se çdo të hanin në fillim, kështu që isha i interesuar të shihja.”

Zoti Brian Knox pret që dhitë e tij të pastrojnë një hektar brenda një jave. Kur Kongresi të kthehet përsëri në qytet, ato do të kenë filluar një punë tjetër.
XS
SM
MD
LG