Lidhje

Dioguardi: Marrëveshja e re Prishtinë-Beograd, kthim prapa për Kosovën


Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po i bëjnë presion Serbisë të anulojë planet për zhvillimin e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës. Kjo përplasje mes Beogradit dhe Prishtinës shfaqet ndërkohë që ende vazhdon debati mbi marrëveshjen e 24 shkurtit mes dy vendeve. Pikërisht kjo marrëveshje është strumbullari i problemeve, thotë Shirley Dioguari, këshilltare për Ballkanin pranë Lidhjes Civile Shqiptaro-Amerikane. Ajo ishte një kthim i madh prapa për Kosovën dhe krijon imazhin se Serbia ende ruan një shkallë sovraniteti mbi Kosovën. Analistja i bëri komentet në një bisedë nga Nju Jorku me kolegen Ardita Simiçia:

Shirley Dioguardi, këshilltare për çështjet e Ballkanit pran[ Lidhjes Civile Shqiptaro-Amerikane thotë se marrëveshja është një kthim pas për zhvillimet në Kosovë:

“Marrëveshja e kthen Kosovën prapa ekonomisht, e kthen Kosovën prapa politikisht. Do të jetë më e vështirë të sigurohen njohje të reja, më e vështirë të futet në BE, më e vështirë të tërheqë investitorë”.

Marrëveshja, ka marrë një mbështetje të hapur nga administrata amerikane dhe Bashkimi Evropian. Sekretarja Klinton e përshëndeti si një hap më pranë integrimit evropian dhe si një nxitje për njohje të re të shtetit të Kosovës. Por zonja DioGuardi thotë se marrëveshja nuk e ndihmon Kosovën.

“Për sa kohë që ekziston shënimi për Rezolutën, përse do të ndjeheshin investitorët e huaj të gatshëm të vinin me investime. Për sa kohë që ekziston shënimi, përse do të ndjeheshin të gatshëm vende të tjera për ta njohur Kosovën? Shtetet e Bashkuara dhe Evropa nuk e kuptojnë se kjo marrëveshje nuk do të funksionojë – e vetmja gjë që do të realizojë është ngrirja e konfliktit”.

Zonja Dioguardi e sheh problemin si një vazhdimësi e një mendësie të gabuar nga ana e Perëndimit. Shtetet e Bashkuara dhe Evropa kanë vepruar gjithmonë me bindjen se po t’i hapin rrugën Serbisë, disi edhe Prishtina edhe Beogradi do ta kapërcenin çështjen e pavarësisë drejt të ardhmes evropiane. Serbia, thotë analistja, është treguar shumë e shkathët në shfrytëzimin e kësaj mundësia:

“Serbia ka qenë shumë e suksesshme në kthimin pas të arritjeve që janë shënuar prej vitesh në Kosovë. Beogradi ka qenë i suksesshëm në krijimin e imazhit se, Kosova duhet t’i përgjigjet Rezolutës 1244, pavarësisht nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe krijon edhe imazhin ndërkombëtar se e ardhmja e Kosovës varet nga Beogradi. Marrëveshja krijon imazhin e një niveli sovraniteti të Beogradit mbi Kosovën. Nuk mendoj se marrëveshja mund të shihet si sukses”.

Lidhja Civile Shqiptaro-Amerikane ka qenë e hapur në kritikat e saj ndaj udhëheqjes së Kosovës dhe në përgjithësi elitës politike. Kjo marrëveshje, thotë këshilltarja e organizatës Shirley Dioguardi është një tjetër shembull i pasivitetit të Prishtinës zyrtare dhe i rendjes pas karrierës dhe interesit të ngushtë:

“Ka dy aspekte që ndikojnë në këtë situatë. E para – është shumë e lehtë për politikanët në Kosovë të qëndrojnë pasivë, me mendimin se Amerika do të kujdeset për Kosovën. Kjo është tragjike dhe ka ndodhur ndërkohë që shumë politikanë mbushin xhepat në kurriz të vendit. Për sa i përket këtij besimi tek Shtetet e Bashkuara, e kam vërejtur prej vitesh se elita politike nuk e sheh qartë si funksionon qeveria amerikane. Ata besojnë se duhet t’i hapin rrugën administratës amerikane. Pushteti në Amerikë funksionon ndryshe. Lidhja Civile Shqiptaro-Amerikane punoi për pavarësinë e Kosovës për 20 vjet, jo me administratën.”

Ka ardhur koha, shprehet zonja Dioguardi, që Kosova të bëjë atë që po bën Serbia. Ndërkohë që Serbia përpiqet të destabilizojë rajonin dhe të marrë nën kontroll Veriun e Kosovës, ka punuar njëkohësisht edhe për përmbushur standardet e Bashkimit Evropian; këtë duhet të bëjë edhe qeveria e Kosovës.

Kundërshtimi ndaj marrëveshjes së 24 shkurtit ka qenë i fortë edhe nga disa qarqe politike në Kosovë. Por në radhët e opinionistëve perëndimorë marrëveshja shihet në një dritë pozitive, me thirrjet që Kosova duhet të përqafojë avantazhet që i ofron pjesëmarrja në forumet rajonale. Por deklarimet e Beogradit se synon të organizojë zgjedhje lokale në veri të Kosovës janë një ogur shqetësues se marrëveshja e re nuk ka sjellë ndryshime në çështje thelbësore në marrëdhëniet Prishtinë-Beograd. Për Zërin e Amerikës, Ardita Simiçia, Uashington

XS
SM
MD
LG