Lidhje

Pakësimi i rreziqeve nga fatkeqësitë


Delegatët e mbledhur në Japoni kanë rënë dakord për një kornizë të re pune për reduktimin e humbjeve njerëzore dhe ekonomike gjatë fatkeqësive në shkallë botërore. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgewell nga Sendai, kritikët thonë se vendet e pasura po shmangin përgjegjësitë e tyre për të ndihmuar vendet e varfëra që të përballen me ndryshimet klimatike.

Një sesion gjigand bisedimesh me delegatë prej më shumë se 180 vendesh u dha fund punimeve të mërkurën, me një kornizë të re për Reduktimin e Rreziqeve nga Fatkeqësitë. Margareta Wahlstrom është përfaqësuesja speciale e Kombeve të Bashkuara për Reduktimin e Rreziqeve nga Fatkeqësitë.

“Kërkohet që njerëzit të kenë burime informacioni për rreziqet dhe të marrin vendime. Do përqendrohemi tek institucionet dhe organizimi i tyre. Pjesë e rendësishme e përparësive është gatishmëria e njerëzve.”

Plani 15 vjeçar ka shtatë objektiva kryesorë për vlerësimin e reduktimit të rreziqeve nga fatkeqësitë. Dekadën e shkuar, sipas OKB-së, 700 mijë njerëz vdiqën nga fatkeqësitë natyrore dhe 1.3 miliard dollarë shkatërrime.

Taifuni Haiyan në vitin 2013 la disa mijëra të vdekur në Filipine dhe miliona të pastrehë. Në konferencën e mbajtur në Sendau, senatorja filipinase Loren B. Kagarda kërkoi investime më të mëdha globale për reduktimin e rreziqeve.

“Po të ishte menaxhuar dhe bërë e qartë sa më shpejt tek grupi më i vogël politik, ndoshta do të ishin shpëtuar më shumë se 8 mijë njerëz dhe do të ishin kursyer miliarda dollarë të nevojshme rindërtimin dhe rimëkëmbjen.”

Vetëm Japonia ka ofruar para për reduktimin e rreziqeve nga fatkeqësitë duke premtuar 4 miliard dollarë gjatë katër viteve. Përfaqësuesja japoneze në konferencë Eriko Yamatani:

“Duam të nxisim riorganizimin e reduktimit të rreziqeve për të zvogëluar dëmet. Kjo do të çonte në zhdukjen e varfërisë dhe do të krijonte mundësi për të ndihmuar. Do të punojmë në këtë drejtim për të ndërtuar një botë të tillë dhe kjo konferencë do të shënojë një hap të rendësishëm.”

Organizatat joqeveritare dhe të bamirësisë e kanë kritkuar mungesen e fondeve për pjesën tjetër të botës në zhvillim.

Pjesë e fokusit të konferencës kanë qënë ndryshimet klimatike, të cilat duket se po i bëjnë më intensive fatkeqësitë natyrore. Ka qenë gjithashtu nevoja për të ndihmuar vendet më të dobëta për t’u përballuar me kërcënimet.

Harjet Sign është me fondacionin e bamirësisë Action Aid.

“Shpresat tona ishin që kjo marrëveshje të shënonte një hap më të madh si rezultat i llojeve të fatkeqësive me të cilat po përballemi, eksperiencës që kemi fituar dhe kompleksitetit që shohim kur flitet për ndryshimet klimatike dhe konfliktet.”

Udhëheqësit botërorë do takohen përsëri në korrik në Adis Abebë për të diskutuar mbi financimin e zhvillimit, pastaj në shtator në Nju Jork për zhvillimin global dhe në dhjetor në Paris për marrëveshjen për klimën. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara e ka cilësuar këtë vit si të rendësishëm për të ardhmen e organizatës.

XS
SM
MD
LG