Lidhje

Dita e Tokës 2013: Fytyra e Ndryshimeve Klimatike


Gati një miliard njerëz në mbarë botën shënojnë Ditën e Tokës çdo 22 prill, duke e bërë këtë festë ambientaliste një nga ngjarjet më të mëdha civile në planet. Në qendër të saj është Rrjeti i Ditës së Tokës, një organizatë jo-fitimprurëse që filloi këtë festë në vitin 1970 dhe që ka ndihmuar në reklamimin e kësaj ngjarje në vite. Tema e këtij viti është "Fytyra e Ndryshimeve Klimatike." Siç njofton korrespondentja Rosanne Skirble, fushata po shfrytëzon internetin dhe median sociale për të krijuar një shfaqje dixhitale të njerëzve, vendeve dhe kafshëve që janë prekur nga ndryshimet klimatike.

Franklin Russell drejton fushatën e Rrjetit Dita e Tokës dhe do fytyrën tuaj në murin e tij virtual. Mijëra vetë kanë ngarkuar fotot e tyre nga Facebook-u, Instagrami dhe media të tjera sociale.

“Kemi patur dy fotografi nga India kohët e fundit nga studentë që kanë përdorur çanta plastike të ricikluara si vazo lulesh. Kemi patur disa njerëz që dolën në rrugë në Bullgari për të protestuar shpyllëzimin dhe që i kërkuan qeverisë të vepronte”.

Mund të ndalesh tek një foto, ta kthesh mbrapsht dhe të lexosh më shumë rreth saj. Ose mund të dërgosh një Twitt për të komentuar rreth saj.

Sarah Vant postoi këtë fotografi. E intervistuar përmes SKYPE-it, ajo shpjegon foton:

“Në foto jam unë me mikun tim Polo. Polo është arushi im polar.”

Vant është një edukator me organizatën EcoActive me seli në Angli. Polo ndihmoi Sarën të shpjegoi çështjet ambjentalista tek fëmijët.

“Në se flas për arinjtë polar, ai mund të mërzitet pak. Ose në se një fëmijë vjen për të folur për një ide brilante për të kursyer energji apo për të pakësuar mbetjet që familjet e tyre mund të përdorin, aim und të frymëzohet dhe të filloj të kërcej.”

Po të klikosh në këtë foto, zbulon një tjetër histori: në një kamp refugjatësh në kufirin mes Tajlandës dhe Birmanisë.

Gjashtëqind refugjatë nga Birmania kanë jetuar këtu qysh nga viti 2007. Të kapur në mes të politikës dhe ndarjeve etnike, ata nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre. Më e keqja, kampi nuk njihet as nga Kombet e Bashkuara dhe as nga Tajlanda. Kjo kufizon shërbimet që ata mund të marrin. Dhe derisa sa ndërhyri Fondi Branch, aty nuk kishte elektricitet.

Organizata jo-fitimprurëse mblodhi fonde për të vendosur panele diellore në çdo kasolle kashte, duke krijuar kampin e pare të refugjatëve në botë që furnizohet me energji diellore. Duke folur nga kampi, drejtoresha ekzekutive e fondacionit Iona Proebst thotë se elektriciteti e ka përmirësuar ndjeshëm jetën e përditshme.

“Notat e fëmijëve janë përmirësuar në shkollë. Nuk ka patur zjarre dhe askush nuk është dëmtuar. Paratë që banorët kursejnë mund të blejnë ushqime.”

Rrjeti i Ditës së Tokës i sjell bashkë këta njerëz për t’i takuar gjithë bota. Një fëmijë 8 vjeçar nga Kameruni premtoi të mbrojë planetin. Fëmijë të tjerë mbjellin pemë.

"Këta fëmijë janë mbrojtës të ambjentit," thotë zyrtari nga organizata jofitimprurëse që dërgoi fotografitë dhe shton, "Imazh i asaj se çfarë mund të bëjnë 100 fëmijë!”

"...fotografitë tregojnë një histori kolektive me shpresën për të sjellë ndryshim!"

Kjo shtron pyetjen: Në Ditën e Tokës, çfarë mund të bëjnë një miliard njerëz?
XS
SM
MD
LG