Lidhje

Ditari i Bin Ladenit tregon planet e terroristit të vrarë


Ditari i Bin Ladenit tregon planet e terroristit të vrarë
Ditari i Bin Ladenit tregon planet e terroristit të vrarë

Zyrtarët amerikanë thanë se dorëshkrimet nga një ditar i Osama bin Ladenit tregojnë se udhëheqësi i al-Kaidës i ka nxitur pasuesit e tij të përqëndrohen në një sulm në një shkallë të gjerë kundër Shteteve të Bashkuara.

Media amerikane citon zyrtarët që folën me kusht për të mbetur anonim. Ata thanë se në ditar parashtrohet në detaje doktrina e al-Kaidës, objektivat e mundshëm dhe mënyra si mund të kryen sulmet. Aty përshkruhen komplote kundër sistemit hekurudhor në Shtetet e Bashkuara dhe rëndësia e sulmeve kundër Amerikës.

Në një prej shënimeve të tij, Bin Ladeni shtron pyetjen se sa amerikanë duhet të vriten që qeveria të tërhiqet nga bota Arabe. Dhe sipas zyrtarëve, ai arrin në përfundimin se vetëm një sulm i përmasave të 11 shtatorit 2001, do të sillte ndryshime të politikës amerikane. Besohet se ditari, që u kap nga forcat speciale amerikane gjatë sulmit në kompleksin e tij në veri të Pakistanit më 2 maj, është shkruar nga vetë Bin Ladeni.

Zyrtarët amerikanë të zbulimit janë ende duke kërkuar mes kompjutërve dhe dokumenteve të kapur në ndërtesë për informacione të tjera rreth rrjetit terrorist. Zyrtarët thonë se deri tani nuk kanë gjetur të dhëna specifike, apo plane për ndonjë sulm të afërt kundër Shteteve të Bashkuara ose ndonjë vendi tjetër perëndimor.

XS
SM
MD
LG