Lidhje

Në Doha mbahet takimi për Sirinë


Kryeministri i Katarit dhe Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry ofruan pikëpamje të ndryshme lidhur me zgjidhjen e krizës në Siri, në takimin që po mbahet në Doha me pjesëmarrjen e ministrave të jashtëm të vendeve që mbështesin kryengritësit sirianë.

Kryeministri Sheik Hamad Jassem Al Thani thotë se forca mund të jetë mënyra e vetme për zgjidhjen e krizës. Zoti Kerry tha se Shtetet e Bashkuara do t’i shtojnë ndihmat për rebelët sirianë, por se autoritetet amerikane mendojnë se mënyra më e mirë për zgjidhjen e konfliktit është përmes negociatave.

Takimi që mbahet sot në Katar është sesioni i parë i grupit të ashtuquajtur “Miqtë e Sirisë”, që kur Shtetet e Bashkuara bënë të njohura planet për të armatosur forcat kryengritëse që po luftojnë për të përmbysur Presidentin sirian Bashar al-Assad.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania po kërkojnë mbajtjen e bisedimeve të drejtpërdrejta në Gjenevë mes qeverisë siriane dhe kundërshtarëve të saj. Këtë plan e mbështesin edhe Bashkimi Evropian dhe shumë vende arabe, përfshirë Egjiptin.
XS
SM
MD
LG