Lidhje

Protestat ndjekin Donald Trumpin


Grupe të mëdha protestuesish vazhdojnë të ndjekin aktivitetet elektorale të kandidatit republikan për president Donald Trump. Dje në një aktivitet për fushatë, zotit Trump iu desh të ndryshonte itinerarin e lëvizjeve të tij në shtetin e Kalifornisë, në bregdetin e Oqeanit Paqësor.

Zoti Trump dhe ekipi i tij i sigurisë braktisën makinat e tyre dje pasi protestuesit bllokuan rrugën që të çonte drejt vendit ku mbahej konventa vjetore republikane për Kaliforninë.

“Kaluam nën një gardh dhe më dukej sikur po kalonim kufirin. Por, ia dolëm mbanë të vinim këtu,” u tha ai njerëzve të mbledhur në takim.

Zoti Trump është bërë objekt i protestave të gjera gjatë dy ditëve të fundit në Kaliforni, një shtet që mund të luajë një rol kyç në përzgjedhjen e kandidatit zyrtar republikan për zgjedhjen e nëntorit.

Të enjten, policia arrestoi disa vetë, pasi demonstruesit u përplasën me policinë jashtë godinës ku mbahej tubimi i tij në Kaliforninë e Jugut.

Xhamat e një makine policie u thyen dhe disa persona u plagosën në Orange County, përpara se policia të vendoste turmën nën kontroll.

Rivali i tij kryesor, Senatori Ted Cruz flet sot në San Francisco, ndërkohë që stafi i tij po mobilizon mijëra vullnetarë për zgjedhjet paraprake të Kalifornisë më datë 7 qershor.

Ndërsa kandidati i tretë, Guvernatori John Kasich, foli për delegatët mbrëmjen e së premtes.

XS
SM
MD
LG