Lidhje

Donetsk, trupat qeveritare rimarrin aeroportin


Luftimet vazhduan sot në qytetin lindor të Ukrainës, Donetsk, ku separatistët kishin sulmuar të hënën aeroportin e qytetit. Ndërkohë, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, po bën thirrje që t'i jepet fund shpejt operacionit ushtarak të Ukrainës kundër separatistëve pro-rusë në Ukrainë lindore.

Në qytetin Donetsk të Ukrainës lindore sot pati luftime. Ministri ukrainas i Punëve të Brendshme, Arsen Avakov, tha se forcat qeveritare kanë rimarrë kontrollin e plotë të aeroportit.

"Nga Donetsku raportohemi se pas marrjes së aeroportit nga separatistët dhe të shtënave ndaj avionit civil, aeroporti është tani plotësisht nën kontrollin tonë. Pala tjetër ka pësuar humbje të rënda. Nga pala jonë nuk ka patur asnjë të vrarë. Operacioni në Donetsk vazhdon."

Zoti Avakov tha se dhjetra separatistë mund të jenë vrarë në luftime.
Sipas tij, forcat e Ukrainës shkatërruan bazën dhe kampin e separatistëve në afërsi të kufirit rus.

Kryetari i bashkisë së Donetskut tha se në luftimet e së hënës u vranë 40 vetë, duke përfshirë edhe dy civilë, dhe u bëri thirrje banorëve që të qëndrojnë në shtëpi.

Në një spital të Donetskut sot u ekspozuan trupat e rreth 30 kryengritësve, sipas një separatisti, i cili nuk dëshironte të tregonte emrin për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Zoti Avakov tha gjithashtu se ka pasur luftime të ashpra afër Slovyanskut.

Shërbimi i shtypit i Kremlinit citonte sot presidentin Vladimir Putin, i cili bënte thirrje për një "ndërprerje të menjëhershme të operacioneve ushtarake ndëshkuese" në juglindje të Ukrainës dhe fillimin e një "dialogu paqësor" mes qeverisë së Ukrainës dhe separatistëve.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov bëri thirrje gjithashtu për një përfundim të shpejtë të operacionit ushtarak, duke shtuar se Rusia mbështet përpjekjet për t'i dhënë fund me mjete paqësore krizës.

Por zëvendës kryeministri i parë i Ukrainës, Vitaly Yarema, tha se "operacioni anti-terrorist" në Ukrainën lindore do të vazhdojë deri sa "asnjë terrorist i vetëm të mos mbetet në territorin ukrainas."

Petro Poroshenko, miliarderi i cili fitoi mbështetje dërrmuese në zgjedhjet presidenciale të së dielës, tha se se paqja mund të arrihet me dialog, por shtoi se kundër separatistëve që ai i quajti "terroristë", duhet të përdoren armët.
XS
SM
MD
LG