Lidhje

Sasi të mëdha droge drejt Greqisë dhe Italisë


Policia shqiptare dhe ajo greke kanë bllokuar në 24 orët e fundit rreth një tonë e gjysëm marijuanë. Operacioni i policisë shqiptare u zhvillua në zonën e Zvërnecit, në Vlorë.

Sipas burimeve zyrtare policore një sasi prej 900 kilogramësh marijuanë u bllokua rreth 50 metër larg bregut, e paketuar, gati për t`u trafikuar drejt Italisë. Policia shqiptare tha se bllokoi edhe një skaf dhe arrestoi të paktën gjashtë persona të përfshirë në trafikun e marijuanës. Ndërsa dy operacionet e policisë greke janë zhvilluar njëri në zonën kufitare të Janinës me Shqipërinë dhe tjetri në qytetin e Artës.

Policia greke tha se bllokoi mbi gjysëm tonë marijuanë në dy automjete duke arrestuar të paktën tre persona. Sipas burimeve zyrtare policore greke vetëm në rajonin e Epirit, në kufi me Shqipërinë policia greke ka sekuestruar në harkun e rreth 45 ditëve të para të këtij viti më shumë se 1.5 ton marijuanë, nga rreth 3.7 ton që ishte bllokuar përgjatë gjithë vitit 2016 dhe vetëm 400 kilogramëve që ishte bllokuar në vitin 2015.

Sasi të konsiderueshme marijuane janë sekuestruar gjatë muajve të fundit edhe nga autoritetet e portit grek të Korfuzit dhe në hapësirën detare Igumenicë – Prevezë.

XS
SM
MD
LG