Policia shqiptare dhe greke vijojnë operacionet për bllokimin e transportimit të marijuanës të kultivuar në Shqipëri. Policia e Gjirokastrës tha se bllokoi rreth 7,5 kilogramë marijuanë dhe arrestoi një shtetas nga Saranda. Operacioni u krye në zonën malore të Progonatit të Tepelenës, një zonë kjo e njohur për kultivmin e marijuanës vitin e shkuar.
Policia tha se lënda narkotike e presuar ishte fshehur në pjesën e brendshme të makinës e cila ishte përshtatur për të mos u zbuluar gjatë kontrolleve rutinë të policisë. Një metodë e ngjashme u zbulua në anën greke të kufirit ku gjatë një operacioni pranë zonës së Artës në Greqinë Veriore policia greke zbuloi në një makinë me targa shqiptare 22,5 kilogramë marijuanë. Policia greke tha se arrestoi tre shtetas shqiptarë që akuzohen si transportues të lëndës narkotike. Sipas policisë greke marijuana e paketuar në sasi të vogla ishte fshehur në dy zona të ndenjësve dhe të derës së makinës të cilat ishin përshtatur për transportimin e sasive të drogës.
“Përshtatja” e mjeteve sipas ekspertëve të policisë së anti-drogës po kthehet në “metodë” nga trafikantët,të cilët krijojnë në pjesë të ndryshme të makinave hapësira të lira për të fshehur narktoikë duke salduar më pas zonat për të mos u dukur. Kjo bëhet jo vetëm për t'i shpëtuar kontrolleve policore në pikëkalimet kufitare por edhe pikave të brendshme të kontrollit që janë ngriturnë rajonet kufitare të të dy vendeve.
Në disa raste trafikantët janë “tradhëtuar” nga ndryshimi i ngjyrës së bojës në pjesët e modifikuara ndërsa në raste të tjera policia ka arritur të zbulojë sasitë falë qenëve të anti-drogës apo kontrolleve me mjete të posaçme. Policia shqiptare e Kakavijës, në kufi me Greqinë, është e pajisur me disa prej pajsijeve të kontrollit falë një ndihme të qeverisë amerikane.