Lidhje

Sot është dita botërore kundër duhanit


Shqipëri: Numri i duhanpirësve po rritet tek meshkujt dhe tek femrat, ndërsa vdekjet nga duhani kanë shkuar në afro 4 mijë persona çdo vit

Sot është dita botërore kundër duhanit. Një studim mbi të dhëna të pjesshme nga disa institucione dhe organizata në Shqipëri tregon gjendjen e rëndë të sëmundjeve nga pirja e duhanit.

Sipas të dhënave, numri i duhanpirësve po rritet tek meshkujt dhe tek femrat, ndërsa vdekjet nga duhani kanë shkuar në afro 4 mijë persona çdo vit.

Dita botërore e duhanit
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:27 0:00

Nga ana tjetër, krahas pirjes në mjedise publike, vazhdon edhe tregtia masive e duhanit. Çdo vit zhdoganohen mbi 4 mijë e 500 tonë duhane dhe shqiptarët harxhojnë 500 milionë euro në vit për të blerë cigare.

Në Shqipëri mbi 85 për qind e sëmundjeve të mushkërive dhe kancereve të të gjitha llojeve kanë si shkak duhanin. Mjekët specialistë pohojnë se duhani nënvlerësohet në Shqipëri dhe kjo bën që pacientët me kancer në mushkëri vijnë në një gjendje shumë të rëndë, ndërsa për parandalimin as që bëhet fjalë.

Mjekët e mushkërive thonë se Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur duhanpirjen si një sëmundje mendore dhe trupore, që shfaqet me kancer të mushkërive për shkak të tymit dhe gjithë organeve të tjera për shkak të qarkullimit të gjakut.

Intervista me pacientë dhe sondazhe në gjithë territorin kanë zbuluar se duhanpirja është shumë e lartë tek meshkujt, sepse mendohet si shenjë burrërie, ndërsa është shumë e ulët tek femrat sepse vlerësohet si një turp. Mesatarja 25 për qind e duhanpirësve në shkallë vendi del e ulët për shkak të shifrave të ulëta tek femrat, por problemi fshihet nga shoqëria në përmasa të mëdha.

Të dhëna të tjera nga spitalet dhe institucione shëndetësore tregojnë se çdo vit në Shqipëri vdesin 3.300 persona nga duhanpirja dhe afro 330 nga qëndrimi në mjedis me tym duhani. 18 % e të gjitha vdekjeve mbi moshën 18 vjeç në Shqipëri kanë si shkak duhanin.

Duhani është ndër shkaktarët kryesor të sëmundjeve dhe renditet i dyti mbas hipertensionit arterial që çon në vdekshmëri, ndërsa alkooli renditet i treti. Vlerësohet që 9 në 10 të sëmurë me kancer mushkrie janë duhanpirës.

Studimet kanë treguar se 90 % e personave që pijnë aktualisht duhan e kanë filluar atë para moshës 18 vjeç. 60 % e meshkujve dhe 18% e femrave mbi moshën 15 vjeç janë duhanpirës të rregullt. Madje janë duhan pirës edhe 12 për qind e adoleshentëve në grupmoshën 13 deri 15 vjeç.

Paradoksal është edhe fakti që duhanpirës janë 40 për qind, ose 4 në 10 studentë të mjekësis, farmacisë, stomatologjisë dhe infermierisë. Po ashtu duhanpirës të rregullt janë edhe mbi 20 për qind të mjekëve dhe punonjësve të spitaleve dhe qendrave mjekësore. Cigaret ndizen rëndom jo vetëm nëpër lokale e kafene, por edhe në korridoret e spitaleve nga infermierë dhe qytetarë, që kanë ardhur të mjekojnë të afërmit e tyre me sëmundje të rënda të shkaktuara nga duhani.

Një pjesë po aq e dhimbshme është fusha financiare. Mjekimet e kancereve të duhanit janë shumë të shtrenjta, ndërkohë që shoqëria shqiptare shpenzon gjysmë miliard euro në vit vetëm për të blerë prodhime duhani. Ndërsa në dogana zhdoganohen më shumë se 4 mijë e 500 ton prodhime duhani çdo vit. Kjo tregti me vdekjen dhe paraja e madhe që luhet në fitimet me duhanin mendohet si një shkaqet kryesore të tolerimit të duhanpirjes, nënvlerësimit dhe moszbatimit të ligjeve antiduhan, të cilat janë miratuar nga parlamenti prej afro 5 vjetësh.

XS
SM
MD
LG