Në Libi, zyrtarët dhe burimet spitalore thanë se dy vetë janë vrarë, me sa duket nga sulmet ajrore të NATO-s në Tripoli.
Qeveria libiane tha se të paktën 4 raketa patën si objektiv një kompleks në kryeqytet, ku jeton udhëheqësi libian Muamar Gadafi.
Një televizion shtetëror libian njoftoi se nga sulmet ajrore të NATO-s u dëmtua ambasada e Koresë së Veriut në Tripoli.
Ndërkohë, Britania ka ftuar opozitën libiane të hapë një zyrë në Londër. Kryeministri David Cameron e bëri të njohur sot njoftimin, pasi u takua me kreun e Këshillit Kombëtar të Tranzicionit, Mustafa Abdel-Xhelil.
Para takimit, Ministria e Jashtme britanike tha se zyrtarët e saj po ashtu do të diskutonin mbi një propozim për t’u dhënë ndihma, por jo armatime, forcave rebele.
Dje Senatori amerikan Xhon Kerri, i cili kryeson Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, tha se po punonte për një ligj, i cili do të autorizonte transferimin e pasurive të ngrira të Kadafit tek Këshilli i opozitës.