Lidhje

Dyfishohet numri i të vdekurve në Moskë për shkak të zjarreve dhe smogut


Numri i të vdekurve në Moskë është dyfishuar dhe tani arrin 700 në ditë në kushtet e valës së të nxehtit dhe smogut të shkaktuar nga zjarret e pakontrolluar, thanë zyrtarët rusë të shëndetësisë. Ndërkohë, banorët e Moskës po largohen nga qyteti në shifra rekord. Zyrtarët e aviacionit thanë se dje, nga tre aeroportet e Moskës u larguan më shumë se 100 mijë pasagjerë.

Shefi i shëndetësisë së Moskës, Andrei Seltsovky ia hodhi fajin të nxehtit që vazhdon prej javësh dhe smogut mbytës për rritjen e vdekshmërisë në krahasim me të njëjtën periudhë vitin e kaluar.

"Vdekshmëria mesatare në qytet është 360 deri 380 në ditë. Sot, ne kemi rreth 700. Kjo nuk është sekret. Të gjithë mendojnë se ne po përpiqemi ta mbajmë sekret. Por shikoni, jashtë temperatura është 40 gradë,” tha zyrtari.

Ai tha se morget e qytetit janë mbushur thuajse në maksimumin e kapacitetit.

Sot, smogu mbuloi Moskën për të gjashtën ditë. Përqendrimi i monoksidit të karbonit dhe i lëndëve të tjera helmuese ishte dy ose tri herë më i lartë se sa niveli i lejuar.

Ndotësit e ajrit shënuan një rekord gjatë fundjavës duke e kaluar kufirin e lejuar deri në 7 herë.

Në të gjithë vendin llogaritet se vazhdojnë 550 zjarre, kryesisht në Rusinë perëndimore, mes tyre 40 përreth Moskës, sipas ministrisë së emergjencave.

Zjarret e pyjeve janë pasojë e të nxehtit të madh, që nuk është parë prej 130 vjetësh.

Temperaturat maksimale ditore kanë arritur në 38 gradë, krahasuar me mesataren verore që është 24 gradë. Sipas parashikimeve, ato do të vazhdojnë të jenë të larta gjatë gjithë javës.

Të paktën 52 veta kanë vdekur direkt nga zjarret dhe mbi 2 mijë shtëpi janë shkatërruar. Fluturimet për në Moskë janë anuluar ose devijuar.

Autoritetet ruse e pranojnë se të 10 mijë zjarrfikësit e mobilizuar nuk mjaftojnë dhe kanë dërguar mijra ushtarë për të ndihmuar.

Edhe Ukraina fqinje po lufton me zjarret ndërkohë që temperaturat edhe atje po arrijnë nivele rekord.

Në disa rajone, temperaturat kanë arritur deri në 42 gradë celsius.

XS
SM
MD
LG