Separatistët pro-rusë në Ukrainën lindore mbajtën dje zgjedhje të debatueshme, që Kievi dhe perëndimi thonë se nuk do t'i njohin. Separatistët, të cilët kanë nën kontroll pjesë të rajoneve Luhansk dhe Donetsk në Ukrainën lindore, mbajtën zgjedhjet për postet udhëheqëse dhe organet ligjvënëse në këto zona.
Duke cituar zyrtarë të zgjedhjeve në të ashtuquajturën Republikë Popullore e Donetskut, ose DNR, agjencitë ruse të lajmeve njoftojnë se pas numërimit të më shumë se gjysmës së fletëve të votimit, Alexander Zakharchenko, kryeministër në detyrë i DNR-së, ishte në krye të garës për udhëheqës me më shumë se 70 për qind të votave:
"Veprimet e qytetarëve tanë kanë treguar se ne jo vetëm mund të bëjmë luftë, por edhe mund të marrim pjesë në ndërtimin e një jete të lumtur. Ne jemi të gatshëm të flasim me të gjithë ata që na dëgjojnë dhe që duan të shmangin gjakderdhjen në këto territore."
Zoti Zakharchenko tha se nëse Kievi do ta njihte rajonin separatist pro-rus, mund të vendoseshin marrëdhënie ekonomike normale:
"Unë ende nuk mund ta kuptoj politikën e autoriteteve të Kievit, por ne jemi gjithmonë të gatshëm për një dialog me ta. Jemi në pritje të veprimeve normale prej tyre."
Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i kanë quajtur të paligjshme zgjedhjet në rajonet separatiste, duke thënë se kjo shkel kushtetutën e Ukrainës dhe marrëveshjen për armëpushim të arritur më 5 shtator midis separatistëve dhe qeverisë së Ukrainës.
Presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko i quajti zgjedhjet në rajonet separatiste "një farsë nën kërcënimin e tankeve dhe armëve."
Ministria e Jashtme e Rusisë nxorri mbrëmë një deklaratë, ku thuhej se respektonte votimet si një shprehje e vullnetit të banorëve të Ukrainës juglindore.
Zgjedhjet në Ukrainën lindore vijnë një javë pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në të gjithë pjesën tjetër të Ukrainës, ku kandidatët që favorizojnë lidhje më të ngushta me vendet evropiane fituan një shumicë të ndjeshme. Popullata në rajonet lindore nuk mori pjesë në votimet e 26 tetorit.
Kombet e Bashkuara thotë se më shumë se katër mijë vetë kanë humbur jetën në luftimet mes forcave qeveritare dhe rebelëve pro-rusë.